Kumanova, sinonim i golgotës së shqiptarëve në Maqedoni

Ngjarjet e fundit tragjike dhe dramatike në Kumanovë, përpos që terrorizuan atë pjesë të popullatës shqiptare të asaj ane, ato riafirmuan për të satën herë me rradhë se, shqiptarët në Maqedoni, jo vetëm që janë të getoizuar në përmasa aparteidale, jo vetëm që konsiderohen qytetarë të dorës së dytë, si dhe, jo vetëm që nuk gëzojnë të drejtat elementare qytetare, por atyre ju kanoset e drejta elementare njerëzore, e që është e drejta e jetës; duke iu nënshtruar në këtë mënyrë një golgote dhe terrori sistematik dhe të vazhdueshëm.  Bit Pazari, Ladorishti, Gostivari, Luboteni, rasti i Sopotit, Brodeci, aksioni “Monstra”, Radishani, Gjorçe Petrovi dhe Lagjja e Trimave në Kumanovë janë vetëm disa nga kryetitujt e kësaj golgote famëkeqe.

Tragjeditë e këtilla të përmasave të gjera po përsëriten gati se çdo dy-tri vjet; ndërsa, përpos këtyre ‘skenareve të metrazhit të gjatë’ me implikime katastrofale, të shpeshta janë incidentet, kur, një shqiptar apo një grup i tyre rrihen apo maltretohen për ‘pikë qejfi’; herë në rrugë, herë në autobus, herë në protesta, e herë nëpër burgje. Në këtë mënyrë, rastet e padrejtësive dhe persekutimit që po ushtrohen ndaj shqiptarëve në Maqedoni janë shndërruar në përditshmëri, ku viktima është e njejtë, ndërsa aktorët çdoherë mbeten të “panjohur”.

Në këtë shtet të brishtë dhe monstruoz mund të ndodhë që një qytet i tërë, një lagje qyteti, apo komplet një fshat të digjet, shkatërrohet dhe të terrorizohet me gjithë çka ka në të, e më në fund, përpos emrit të aksionit në fjalë, gjithçka tjetër të mbetet enigmatike; e që mëpastaj të vijojë aksioni i rradhës, i cili e fut në harresë aksionin paraprak dhe mbjell frikë për aksionin që pason.

Një realitet i këtillë i hidhur po i ndjek shqiptarët – porsi hije – plotë dy dekada e gjysmë, që nga pavarësimi i këtij shteti monstër, i cili, kurrë nuk u ndal së trajtuari shqiptarët autokton të këtij nënqielli si qiraxhij dhe si ‘e keqja absolute’, duke i shndërruar ata në fajtor kujdestar për të gjitha mos-sukseset e kësaj sajese të deformuar që mban emrin Maqedoni.

Ajo që e rëndon edhe më shumë një situatë të këtillë të shqiptarëve të këtij nënqielli është fakti se, ata ndjehen plotësisht jetim në orvatjet e tyre për mbijetesë në këto troje. Kjo, ngase, shteti amë, Shqipëria, i cili supozohet se duhet të jetë mbështetësi dhe mbrojtësi më i mirë i interesave dhe fatit të shqiptarëve përtej kufijve, i njejti, është zhytur thellë në antagonizma të pakuptimta dhe të pafundta, duke u shndërruar në ‘nënë të sëmurë dhe të paralizuar’ që ka nevojë për kujdes, në vend që të kujdeset për bijtë e saj. Në anën tjetër, vëllau i madh, Kosova, duket tejmase i zënë dhe i angazhuar me orvatjet e tij sizifike të shtetformimit; kësaj rradhe jo për shkak të agresionit serb, por për shkak të elementit vetëdestruktiv, që manifestohet përmes klaneve të pangopura banditeske, të cilat, jo vetëm shtetformimin, por ata kanë nxjerr në ankand edhe vet kombin dhe interesat e tij madhore, në shkëmbim të apetiteve të tyre të ulta. E sa për “përfaqësuesit” politikë të shqiptarëve të Maqedonisë, çfarëdo që të thuhet, nuk do të mjaftonte. Kjo, ngase, këta hajdutë provincial, jo vetëm që e shitën popullin e tyre për një kolltuk nënshtrimi, por ata u bënë aleat, e në rastet më të mira avokat të dreqit të mallkuar, duke u munduar që me veprimet dhe bëmat e tyre djallëzore ta mbulojnë impotencën e tyre njerëzore; ngase për nivelin e tyre intelektual dhe kombëtar as që ja vlen të flitet.

Si rezultat i gjithë kësaj dhune dhe këtij terrori të armiqëve, si dhe gjithë këtij injorimi dhe nëpërkëmbje nga ana e ‘miqëve’ dhe të ‘afërmëve’, memorja e hidhur kolektive e shqiptarëve të këtushëm rëndohet çdo vit e më tepër, dhe se, pas çdo fatkeqësie që po e përjeton, kjo memorje bëhet edhe më sklerotike, duke u shndërruar në harresë kolektive dhe amnezi totale. Nuk ke se si e shpjegon ndryshe këtë hall dhe gjendje në të cilën kanë arritur shqiptarët e Maqedonisë, përveçse me sindromin e harresës kolektive dhe amnezisë totale, sindrom ky i cili ka rezultuar në një paralizë të përgjithshme në të gjitha sferat, duke shkaktuar dështim dhe dëshprim të plotë. Përndryshe, si mund të arsyetohet fakti që, edhe pas plotë dy dekada e gjysmë “demokracie”, shqiptarët ende e kanë në pikëpyetje statusin e tyre qytetar. Madje, si është e mundur që ata, çdo natë që bien në shtrat, trishtojnë se mos ndoshta dikush do të ua trazojë dhe terrorizojë familjen para agimit të mëngjezit të së nesërmes?! Për më tepër, atyre nuk ju lejohet as edhe të protestojnë ndaj dhunës dhe diskriminimit që ushtrohet ndaj tyre!

Nëse përskaj gjitha këtyre fatkeqësive – të cilat po e godasin qenien tonë si komb – ne vazhdojmë të qëndrojmë indiferent, duke e ushqyer vehten me iluzione dhe premtime boshe të cilat na i servojnë ‘cubat’ tanë politik, duke filluar nga disa ‘pulaxhinj’ të mëhallës, të cilët pretendojnë se përfaqësojnë verdiktin e popullit, e deri tek “liderët” tanë injorantë dhe të vetëpëlqyer, të cilët hiqen si “kalorës legjendarë” të këtij kombi, ne do të vazhdojmë të përpëlitemi në ferrin e përditshmërisë sonë, e cila sa vjen e vështirësohet në çdo aspekt.

Rruga e vetme për dalje nga ky ‘ankth’ dhe ky mjerim kolektiv, në të cilin jemi katandisur si popull, është zgjimi nga letargjia vetëmashtruese si dhe ‘përveshja e krahëve’ drejt një rizgjimi të gjithmbarshëm në gjitha poret e jetës, e me theks të veçantë në aspektin e vetëdijes dhe ndërgjegjes sonë individuale dhe kolektive, duke filluar gjithmonë nga vetvetja. Përndryshe, nëse do të vazhdojmë që fajin e dështimit tonë ta kërkojmë çdoherë tek ‘pala tjetër’, gjithmonë duke shfajësuar dhe glorifikuar vehten, ne rrezikojmë që të ‘hamë’ kokën tonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button