USHT 4 herë më shtrenjtë procedurën e diplomës!

Absolventët e Universitetit Shtetëror të Tetovës ankohen për çmimin e procesit të diplomimit, duke thënë që është shumë i lartë.

Ata thonë se kolegët e tyre në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” paguajnë katër herë më pak për këtë proces.

“Është e tmerrshme, unë jam absolvent dhe u interesova që të pyes për procedurën e diplomimit dhe më tanë se 100 euro duhet të paguhen kur paraqitet tema dhe 100 euro për të marrë diplomën, qe i bie 200 euro. Një shok i imi studionin në universitetin e Shën Kirilit dhe aty i gjithë procesi kushton vetëm 50 euro”, tha një absolvent i cili deshi të jetë anonim.

Studentët thonë se nuk kanë njohuri se kush i përcakton çmimet, pasi dallimi është shumë i madh.

“Si bëhet përcaktimi i çmimeve nuk e dimë, dallimi është shumë i madh për procesin e njejtë dhe të dy universitetet janë shtetërore. Çka nëse studentët nuk kanë të holla? Do mbesin pa diploma? Nuk e di më duket se po studiojmë në një universitet privat dhe jo shtetëror”, thonë studentët.

“MASH nuk ndan mjete sa duhet për USHT-në dhe ata i nxjerrin të hollat prej neve. Çdo ditë largohen profesor me pretekstin që nuk kanë marrë pagë. Kjo nuk është e logjikshme. Është turp”, thonë më tej studentët.

Nga Universiteti i Shën Kirilit dhe Metodit na thanë se paraqitja e temës së diplomës kushton 500 denarë dhe marrja e diplomës 2500 denarë.

Paraqitja e temës së diplomës kushton 500 denarë dhe marrja e të njëjtës kushton 2500 denarë, nëse eventualisht studenti vendos të ndryshon temën, duhet të paguaj plus 200 denarë”, thonë nga Sektori për informim pranë USHKM.

Ndryshe, nga USHT refuzuan të përgjigjen pyetjes së Portalb se kush ka përgjegjësi për vendosjen e çmimeve dhe lidhur me arsyen e çmimit të lartë të diplomimit. Megjithatë duke u bazuar në faktin se universitetet kanë autonominë e tyre për të vendosur atëherë edhe përcaktimi i çmimeve është vendim i vet udhëheqësisë së USHT. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button