fbpx

BDI shpalos marrëveshjen e 2 qershorit mes liderëve politik të Maqedonisë

BDI-ja edhe zyrtarisht publikon marrëveshjen e 2 qershorit me ndërmjetësimin e Evrokomesarit Han dhe ambasadorëve Orav dhe Bejli.

Në këtë marrëveshje thuhet se deri më 10 qershor partitë duhet të pajtohen saktë se kush do ti organizon zgjedhjet parlamentare në Maqedoni.

Sipas kësaj marrëveshjeje të gjitha partitë obligohen për të tejkaluar krizën politike dhe mos e pengojnë anëtarësimin në BE dhe NATO.

Liderët e partive politike obligohen se do të punojnë për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe do ta zbatojnë në tërësi marrëveshjen e Ohrit.

Këta parti pajtohen që të vendosin një “periudhë tranzitore” e cila do të fillonte menjëherë dhe do të mbaronte me zgjedhjet e lira deri në fund të prillit 2016.

Gjatë kësaj periudhe LSDM është e obliguar që të kthehet në Parlament dhe të ndërpresë publikimin e bombave.

Mes tjerash në këtë marrëveshje parashihet që të sundojë ligji dhe mediat të jenë të pavarura.

Më poshtë mund të lexoni Marrëveshjen e 2 qershorit 2015, të prezantuar nga BDI-ja

Marrëveshje, 2 qershor 2015

1. Partitë pajtohen që në vend të parë ta vendosin interesin e shtetit dhe konfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj procesit EuroAtlantik dhe parimeve demokratike.

2. Në interesin e të gjithë qytetarëve dhe të të gjitha komuniteteve në vend, partitë pajtohen mbi hapat për ta tejkaluar krizën aktuale. Ato përkushtohen për të siguruar gjithëpërfshirje në realizimin e kësaj marrëveshjeje nëpërmjet të konsultimeve dhe koordinimeve me partitë kryesore në vend.

3. Partitë përkushtohen që të respektojnë parimet demokratike të përgjegjësisë politike nëpërmjet të adresimit të sfidave kyçe me të cilat ballafaqohet vendi.

4. Në këtë kohë të sfidave të mëdha kombëtare, partitë pajtohen që duhet patjetër të veprojnë në interes të të gjithë qytetarëve, t’i adresojnë sfidat kritike dhe të pa presedan me të cilat ballafaqohet shteti, të konsolidojnë zhvillimin ekonomik dhe demokratik, të përforcojnë marrëdhëniet ndëretnike, të sigurojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të përforcojnë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe imazhin ndërkombëtar dhe duke bërë këtë, ta sjellin vendin përpara në rrugën EuroAtlantike.

5. Andaj, partitë pajtohen që ta vendosin një “periudhë tranzitore” duke filluar menjëherë dhe duke përfunduar me zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje të plotë me standardet Europiane, deri në fund të prillit të vitit 2016.

6. Gjatë periudhës transitore:

• Gjer më 10 qershor, partitë do të pajtohen mbi organizimin e saktë të Qeverisë që do ti përgatit zgjedhjet.

• LSDM do të kthehet në parlament dhe do të udhëheq me komisionet e veçantë anketues parlamentar të themeluar mbi skandalin e përgjimeve. Komisionet mbi zbulimin dhe ndërhyrjen në komunikime do të udhëhiqen gjithashtu nga LSDM dhe do të fillojnë me punë duke shqyrtuar dështimet në mbikëqyrjen e funksionimit të shërbimit të kundërzbulimit shtetëror. Një raport fillestar nga këto komisionet do të përpilohet gjer më Nëntor 2015.

• Me efekt të menjëhershëm, nuk do të ketë publikime të mëtejme të çfarëdo materiali të përgjuar. Pas kthimit të LSDM në Parlament, të gjitha materialet që ka në posedim LSDM-ja ose kush do tjetër, do t’i dorëzohen Prokurorit Publik për veprim të menjëhershëm.

• Në mes të Qershorit dhe fundit të Gushtit 2015, BE do të lehtësohen dialogun ndërpartiak (i hapur për të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament) për të arritur një marrëveshje mbi çështjet e reformave strukturore. Kjo marrëveshje do të përfshin edhe reformat që duhet të ndërmerren në fushat e Kapitujve 23 dhe 14, përfaqësim dhe funksionim i pavarur i organeve relevante shtetërore, liri më të madhe mediatike die përputhje të plotë me Opinionet dhe Rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

• Partitë pajtohen që t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet që do të përpilohen nga Komisioni Evropian në lidhje me çështjet sistematike të sundimit të ligjit. Zbatimi do të shqyrtohet në kontekst të Dialogut Paraqes të Nivelit të Lartë duke përfshirë të gjitha partitë kryesore politike dhe shoqërinë civile dhe para Raportit për Përparim të Komisionit Evropian në Tetor të vitit 2015.

• Gjer më 31 korrik 2015, përbërja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor do të shqyrtohet dhe modifikohet. Gjer më 30 shtator 2015, Komisionit Shtetëror Zgjedhor do t’i jepen kompetenca të shtuara që të sigurojë zgjedhje të lira dhe fer si dhe fushë të barabartë loje për të gjitha partitë. Të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR do të zbatohen, përfshirë edhe shqyrtimin e listës së votuesve në përputhje me një metodologji të re dhe të dakorduar. Para zgjedhjeve të ardhshme, Qeveria do të kërkojë monitorim të përforcuar afatgjatë dhe afatshkurtër nga OSBE/ODIHR.

Kjo marrëveshje është e hapur për firmosje nga partitë e interesuara politike.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close