Çeku e di epilogun e zgjedhjeve, rri ministër!

Largimi i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, nga posti që mban aktualisht në Qeverinë e Kosovës, për të garuar për kryetare të Gjakovës në zgjedhjet e sivjetme lokale, duket se do ta lërë të paktën për një kohë të zbrazët pozitën që ajo ka mbajtur prej fillimit të qeverisë “Thaçi 2”.

Kusari-Lila e cila të paktën edhe disa ditë është ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe zëvendëskryeministre njëkohësisht, në seancën e fundit plenare ka bërë të ditur përfundimisht se i ka “ditët e numëruara” në ekzekutiv.

Derisa ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’ia votojnë Projektligjin për Investimet e Huaja, ajo ka thënë se fjalimi në foltoren e Kuvendit është fjalimi i fundit që ajo mban para ligjvënësve në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, shkruan “Zëri”.

Por, ndryshe nga kolegia e tij në qeveri, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, i cili tashmë është kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, ka vendosur që përkitazi kërkimit të votës për t’u bërë i pari i Prishtinës, njëkohësisht ta ruajë pozitën që ka në Qeverinë e Kosovës, atë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vetëm disa ditë para se të fillojë fushata parazgjedhore, ai ka bërë të ditur se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozita që mban, ngase “prania e tij është shumë me rëndësi për të ardhmen e FSK-së”. /Zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button