Policia heton lidhjet me të përfshirët në incidentin e Kumanovës

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi, thotë se ishte nisur për në varrimin e Isa Boletinit bashkë me një student të tij me inicialet A. R, kur në hyrje të Mitrovicës njësia speciale e Kosovës i ka arrestuar të dy bashkë me tre persona të tjerë, të cilët tha se nuk i njeh, porse kanë lidhje me studentin e tij.
Gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për personat me inicialet S. Ll., Sh. B. dhe Sh. J. (identiteti i plotë i të cilëve është i njohur për redaksinë), të cilët janë arrestuar të mërkurën së bashku me A.R. dhe Kelmendin.
“Dyshohet se katër personat që kanë qenë me Kelmendin janë ish- pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë qenë pjesë e veprimeve që lidhen me personat e përfshirë në incidentin e Kumanovës”, ka njoftuar burimi brenda Policisë së Kosovës.
As nga Policia e as nga Prokuroria nuk kanë dhënë zyrtarisht detaje lidhur me rastin, ndonëse zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk i ka mohuar emrat e përmendur.
“Që të gjithë janë liruar me urdhër të prokurorit”, ka thënë Kelani. “Nuk mund të shtoj jashtë asaj që është në njoftim për media asgjë, sepse mund të pengoj hetimet”.