Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Berlinit (FOTO)

 Kah fundi i shekullit XVII

Lexo pjesën paraprake: Stemat shqiptare në koleksionin e Ollovës të vitit 1689 që gjendet në Bolonjë (FOTO)

Për këtë koleksion nuk është ditur se ekziston shumë kohe. I pari për të shkroi A. I. Jacimirskij, që në vitin 1921 bënte hulumtime në bibliotekën e Berlinit. Atje e ka gjetur e mandej e ka përshkruar punimin e tij:

foto1 foto2 foto3 foto4

Ai përmendi për herën e parë se në bibliotekën mbretërore të Berlinit gjendet një koleksion heraldik i sllavëve të jugut që është regjistruar me numrin 1892. Ky koleksion sot gjendet në Deutsche Staatsbibliothek dhe ka signaturën Ms. Phill. 1892. Në faqen I dhe II është dhënë lista e të gjitha stemave që gjenden në këtë koleksion sipas alfabetit. Në faqen VII është stema e Ilirisë, në faqen VIII e Bosnjës, në faqen IX e Dalmacisë, në faqen X e Kroacisë, në faqen XI e Sllovenisë, në faqen XIII e Bullgarisë, në faqen XIII e Serbisë, në faqen XIV e Rashkës dhe në faqen XV e vendeve bregdetare. Me këtë përfundojnë stemat territoriale që gjithmonë vihen në fillim të koleksionit. Pastaj sipas alfabetit radhiten stemat familjare. Kështu, për shembull në faqen XVII është stema e Kotromaniqëve, në XVIII e Nemanjiqëve, në faqen XIX e Mërnjavçeviqëve, në faqen XXXI e familjes Ohmuçeviq etj.

Krejt koleksioni ka 159 fletë. Në çdo fletë ka nga një stemë me ngjyra. Koleksioni është punuar me kujdes, me shkronja të arta dhe është lidhur fort mirë e pasur. Duket se është punuar për ndonjë njeri të rëndësishëm. Nuk ka shënime se kush e ka punuar.

Stema më e bukur e Kastriotëve . Figura 13
Stema më e bukur e Kastriotëve . Figura 13

Koleksioni është punuar me një mjeshtëri të madhe artistike dhe mund të krahasohet vetëm me atë që ruhet në Muzeun e artit të aplikuar në Beograd, e ndoshta është edhe më i bukur.

Stema më e bukur e Kastriotëve gjendet në këtë koleksion (fig. 13). Në fushë të verdhë – të artë është shqiponja dykrerëshe e zezë, e mbi të trekëndëshi i kaltër me yll të verdhë gjashtëkëndësh. Sidomos është shumë e bukur kurora e artë që gjendet mbi helmetë.

 

Në kurorë gjendet edhe një shqiponjë e kuqe me fletë të hapura. Mbi stemë dhe nën të gjenden shirita me mbishkrime të zakonshme si te stemat e deritanishme.

 

Stema shqiptare në stematografinë e botuar

të Pavle Riter Vitezoviqit të vitit 1701

 

Vitezoviqi ka shumë punime nga lëmi i historisë, letërsisë, linguistikës e heraldikës. Në vitin 1689 botoi një përmbledhje vjershash në gjuhën latine ne 127 faqe për nder të të gjithë atyre që ndihmuan Hungarinë në luftën e saj për çlirimin nga Turqia. Me konceptin ilirik, poeti mendonte të gjitha viset kroate, serbe, bullgare, shqiptare, greke, e madhe edhe ato vllahe.[1]

Prej punimeve të shumta të tij rëndësi më të madhe politike ka pasur Stematografia, e cila në origjinal e ka titullin: Stematographia sive armorum illyricorum delinestio descrimtio et retitutio Authore Equite Faulo Ritter. Për botimin e Stematografisë ai filloi të përgatitet qysh në vitin 1694, kur shpalli një proklamatë në gjuhën latine dhe ua dërgoi “të gjithë zotërinjve të oborrit, zhupanëve e banorëve fisnikë, si edhe sundimtarëve, administratorëve e gjyqtarëve të shtetit, qyteteve të lira, qyteteve dhe tregjeve me dekret në Dalmaci, Kroaci, Slloveni, Bosnje, Serbi, Rashkë dhe nëpër viset e tjera dhe në provincat e popullit të lavdishëm sllav ose ilir”. Në këtë proklamatë kërkonte t’i dërgohen gjenealogji, vizatime të stemave me ngjyra, shënime për prejardhjen e stemave, shënime për lidhje fisnore me familjet e famshme, për posedimet e tanishme dhe shërbimet edhe për “meritat e lavdishme” ë atyre familjeve. Prej qyteteve dhe panaireve kërkonte shënime se si është krijuar qyteti, kush e ka themeluar, cili është padroni i qytetit, stema e tij, statuti etj.[2] Çka ka fituar në këtë mënyrë nuk e di, por proklamata është e rëndësishme që të shihet se si ka punuar, pra metoda e tij e punës.

Në vetë Stematografinë nuk është shënuar ku dhe kur është botuar kjo. Por, megjithëkëtë, dihet me saktësi se është dukur në Vjenë më 1701.

Stematografi është botuar në një të katërt të vogël në 69 faqe. Në 56 faqet e para ka nga një stemë, prej faqes 57—67 në prozë i shpjegon të gjitha stemat.

Stematografia nuk është me ngjyra, por me teknikë bakroskalitëse të zezë e të bardhë, kurse me vija heraldike janë të shënuara ngjyrat. Burime të drejtpërdrejta dhe themelore për Stematografinë pat koleksionet ilire që i kish gjetur nëpër manastire të ndryshme e biblioteka, Cosmographinë e Münsterit dhe veprën e Orbinit Il regno del gli Slavi prej kah ka marrë mjaft stema. Për caktimin e stemat ai i pari ka filluar të përdorë edhe burime të drejtpërdrejta: vula të vjetra, dokumente, të holla, përmendore prej guri e të tjera.

Si thamë, Stematografia ngërthen gjithsej 56 stema. Aty janë stemat e krejt “Ilirisë” e me konceptin e Ilirisë ai përfshinte të gjitha territoret ku ende dëgjohet fjala sllave (“in quejs slavnae usnus nuns quoque vocis adest”).[3] I frymëzuar prej idesë pansllaviste—ilire, në Stematografinë e tij i ka futur stemat e “të gjitha vendeve ilire”, respektivisht prej burimit të Danubit e deri në Detin e Zi dhe prej Adriatikut deri në Ngushticën e Beringut. Këtu i ka përfshirë edhe stemat e atyre territoreve që sipas kuptimi të atëhershëm të historiografisë, kanë qenë dikur të banuara me banorë sllavë. Për këtë shkak, përveç stemave të Rusisë, Çekisë, Polonisë dhe të territoreve të tjera sllave, këtu do të gjenden edhe stemat e Austrisë, Besarabisë, Dardanisë, Epirit, Greqisë, Rumanisë, Skitisë, Tesalisë, Trakisë, Transilvanisë, Turqisë, Hungarisë etj. Stemat janë radhitur sipas alfabetit latin. Nën secilën stemë gjenden nga katër vargje (poezi), që në latinishte e shpjegojnë stemën.

Stematografia e tij paraqet vepër të parë heraldike të rëndësishme të botuar te sllavët e Jugut dhe, si e tillë, ajo ka kryer ndikim pozitiv. Kjo është vepër e parë nga ky lëmë. Stematografia është pjellë e kohës së vet. Doli në atë kohë dhe në atë rreth kur shumë feudalë të mëdhenj nga sllavët e Jugut ishin strehuar në Kroaci përpara pushtimeve turke. Në rrethin e ri u duhej t’u përshtaten rrethanave politike të Monarkisë austriake, ku një rëndësi shumë e madhe u jepej stemave. Stematografia ishte si një lloj proklamate se edhe sllavët, e posaçërisht sllavët e Jugut, kanë të kaluar të lavdishme dhe kjo njëkohësisht ishte thirrje për bashkimin e tyre. Kështu Vitezoviqi me Stematografinë e tij, kënaqi një kërkesë të kohës së vet dhe të rrethit që e përfaqësoi. Stematografia e tij çmohej shumë dhe përdorej edhe më shumë te të gjithë sllavët e Jugut dhe te ata ushqente krenari e dinjitet se janë pjesëtarë të “popullit ilir” të madh e të lavdishëm. Deri në vitin 1741, respektivisht deri kur doli Stematografia e Zhefaroviqit, do të thotë plot 40 vite, ajo ishte vepër heraldike e vetme e botuar te sllavët e Jugut, e për këtë shkak ka luajtur rëndësi të madhe moralo-politike. E meta e saj e madhe qëndron në faktin se ka qenë botuar në gjuhën latine. Pra ajo i ka qenë dedikuar botës së shkolluar që në atë kohë e përdorte gjuhën latine. Këtë mungesë e ka kuptuar Zhefaroviqi, i cili në vitin 1741 botoi Stematografi, pak të ndryshuar nga ajo e Vitezoviqit, por, ç’është shumë me rëndësi, ajo u botuar në gjuhën e vjetër kishtare sllave, e për këtë shkak ishte e kuptueshme për të gjithë. Pas daljes së Stematografisë së Zhefaroviqit, ndikimi i Stematografisë së Vitezoviqit u kufizua vetëm në pjesën perëndimore të sllavëve të Jugut, ku përdorej gjuha latine, pikërisht vetëm midis njerëzve të shkolluar, derisa ndikimi i Stematografisë së Zhefaroviqit u përhap midis të gjithë sllavëve të Jugut, e posaçërisht te popujt jugosllavë që gjenden në lindje të Kroacisë, pikërisht midis tregtarëve dhe qytetarëve.

Stema shqiptare në në stematografinë e Vitezoviqit. Figura 14
Stema shqiptare në në stematografinë e Vitezoviqit. Figura 14

Në Stematografinë e Vitezoviqit stema shqiptare gjendet në faqen e tretë. Stema është formuar prej mburojës me formë katrore ose spanjolle (fig. 14.). Mburoja ka ngjyrë të artë ose të verdhë. Në mesin e mburojës në një kornizë janë dhënë tre krerë zezakë të cilët në ballë rreth kokës kanë lidhur shirit të ngushtë me lidhëse prapa.  Lart janë dy krerë e poshtë një. Krerët janë të vizatuar me vija horizontale e vertikale që kryqëzohen dhe formojnë katrorë të vegjël në formë rrjeti të vogël me se në heraldikë shënohet ngjyra e zezë. Mbi mburojë gjendet kurora e madhe perandorake e stolisur me diamante, siç i kishin atëherë të gjitha stemat territoriale, respektivisht stemat që shënonin ndonjë territor. Mbi stemë me alfabet latin shkruan: “Albania”, e nën të gjendet një strofë në gjuhën latine që e shpjegon stemën. Stema e këtillë shqiptare është shumë e rrallë dhe nuk dihet pse janë përdorur tre krerë zezakë për shënimin heraldik të Shqipërisë, për shkak se krerët zezakë nuk janë karakteristikë për Shqipërinë, e Vitezoviqi për këtë nuk ka lënë asnjë të dhënë. Ai nuk e ka shënuar burimin se ku e ka marrë këtë emblemë dhe pse janë pikërisht tre krerë zezakë, e dihet se në Stematografinë në dorëshkrim që e kish përgatitur për shtyp, stema territoriale shqiptare ka qenë me fortesë (shih fig. 12). Pse hoqi dorë prej këtij emblema nuk është e qartë. Ndoshta konsideronte se emblema me tre krerë zezakë është më autentik për paraqitjen heraldike të Shqipërisë.


[1] Po aty, 79—80.

[2] Po aty, 436.

[3] E. Laszowski, Pavao Ritter- Vitezoviq kao heraldik i genealog. “Vitezoviq”, mjesecnik za genealogiju, biografiju, heraldiku i sfrangastiku. Viti II, nr. 1. Zagreb

Lajme të ngjashme

Back to top button