Newsweek: Shqipëria me shumë vlera të lashtësisë, mbetet e pa eksploruar

“Shqipëria ka qenë prej kohësh një mister për Perëndimin”- këtë titull i kushton revista prestigjioze amerikane “Newsweek”, një reportazhi për Shqipërinë.

Gazetari, njëkohësisht edhe shkrimtar, Harry Eyes, i vë theksin faktit se si një tokë, e cila mbart kaq vlera prej lashtësisë, vazhdon të mbetet ende një territor i paeksploruar.

“Mbyllur plotësisht për dekada të tëra gjatë diktaturës paranojave të Enver Hoxhës, Shqipëria i ka hapur dyert tashmë, por ende duket se ajo ende merr më pak vëmendje sesa realisht e meriton”, shkruan Eyes.

Ndërkaq, gazetari rrëfen ndër rreshta se lidhja e tij me Shqipërinë nuk është edhe aq rastësore, pasi stërgjyshi i tij ka qenë ambasadori i parë britanik në Shqipërinë e viteve 1920, dhe derisa u nda nga jeta në vitin 1944 ruante kontakte të vazhdueshme me zhvillimet në vend.

Në këtë formë, Eyes sjell në vëmendje se stërgjyshi i tij nuk ka qenë i vetmi i asaj gjenerate që kishte lidhje të forta, pse jo edhe afeksion për vlerat e gjithë dimensioneve që mbart Shqipëria, duke na sjellë në kujtesë kështu poetin Edward Lear apo historianin Noel Malcolm.

Megjithatë, pavarësisht perceptimit të krijuar ndër vite se Shqipëria është vendi i misterit, kohët e fundit është një gjest i cili ka shtuar kureshtjen e gjithë botës për të mësuar më shumë për vendin tonë.

“Newsweek” veçon pikërisht gjestin elegant të parakalimit në Paris të udhëheqësve fetarë shqiptarë katolik, ortodoks, mysliman dhe bektashian, të cilët marshuan krahë për krahë më 11 janar në mbështetje të viktimave të masakrës “Charlie Hebdo”; në të njëjtin marshim ku ishte edhe kryeministri i vendit, Edi Rama me lapsat trengjyrësh në xhepin e xhaketës së tij, duke simbolizuar kështu lirinë e fjalës dhe mbështetjen për Francën e plagosur.

Lajme të ngjashme

Back to top button