Negociatat e rrejshme të dështuara janë shenjë e budallallëkut të këtij vendi

Dështoi edhe një raund i bisedimeve në Bruksel. Asgjë e re, asgjë e papritur. Nëse dikush ka pritur që të zgjidhet problemi politik i këtij vendi me vetëm disa orë bisedime, madje edhe me ndërhyrjen e rangjeve më të larta të bashkësisë ndërkombëtare, ka qenë një budalla i madh. Më vjen keq që ka analistë dhe kolumnistë që kanë bërë nga gënjeshtra jetën e vet. Gënjeshtra e tyre të bën të shohësh dështimin e bisedimeve të djeshme si fundin e botës, si fillimin e një cikli të ri të pasigurisë së përgjithshme e cila rrezikon me eskalimin e situatës përtej kontrollit. Këta janë një klasë në vete e budallenjve, një grup i frikshëm muxhahedian cinik këpurdhash helmuese që transmetojnë mesazhet e këtyre “liderëve” të fëlliqur që bënë që bisedimet të dështojnë në Bruksel. Të tillë nuk janë vetëm sorta e llatasovitëve, por edhe e shqiptarëve tanë që janë po aq prezentë në mediume sa edhe propaganduesit më të mëdhenj. Zatën propagandën e kanë qëllimin e vet, sepse janë instrumenta të një fuqie politike që i tejkalon kufijtë e tyre të intelegjencës dhe rezonimit. Ajo që më habiti, ishte reagimi fëmijëror i komisarit Han: sikur e ka për herë të parë të ballafaqohet me liderë fëmijërorë dhe të papërgjegjshëm “Ballkano-perëndimorë” sic i quajti në tweet-in e tij të mbrëmshëm ato liderë anonimë që sot zotohen se punojnë për të mirën e këtij vendi, për të mirën e këtij populli.

Përshtypja ime e dështimit të negociatave të djeshme e tejkalon besimin se arsyeja e dështimit të jetë aq e thjeshtë dhe tragjike si kompleksi i Piter Panit të këtyre “liderëve”. Përshtypja ime është se bisedimet e mbrëmshme nuk dhanë fryt për dy arsye pretencioze: e para, akoma nuk është krijuar perceptimi i nevojshëm në opinion lidhur me kërkesat dhe nevojën e kësaj katërshe magjike; analistët e tyre të programuar akoma kanë punë për të bërë, për të futur akoma më shumë frikë në opinion lidhur me atë se po nuk u plotësuan kërkesat e kësaj apo asaj partie e ardhmja jonë është e humbur. E dyta, që kësaj katërsheje nuk i konvenon që të zgjidhet problemi kaq shpejt, ato kënaqen me vuajtjen që i shkaktojnë njëri tjetrit, që na shkaktojnë neve, por mbi të gjitha ju konvenon që kriza demokratike të zgjasë, që bisedimet të mos mbarojnë aq shpejt sepse kjo krizë demokratike ka përmbledhur gjithë interesin dhe vëmendjen e opinionit rreth vetes; kjo krizë nuk na lejon të hapim sytë dhe të mendojmë në problemet reale të këtij vendi. Sa më shumë që mendojmë në “bombat” e Zaevit, apo kërkesat post-mortum të partive shqiptare, apo etjes së pashtershme për pushtet të kryeministrit që don të mbetet i përhershëm, aq më pak ata kanë nevojë që të krijojnë programe dhe të ofrojnë zgjidhje për atë se si të dilet nga kriza.

Në shkrimin tim të kaluar theksova që kriza akoma ka për të ardhur në gjithë zymtësinë e vet. Ajo që e pret fituesin e zgjedhjeve të ardhshme, që sipas marrëveshjes së 2 Qershorit duhet të mbahen në fund-prillin e 2016 është punë shumë e madhe në tejkalimin e jo vetëm problemeve të demokracisë, mosrespektimit të të drejtave të njeriut dhe të shqiptarëve, kapitullit 23 dhe 24 dhe të gjithë kapitujve të tjerë me rend, vrimës financiare, mosefikasitetit të administratës dhe të vetë sistemit për të krijuar vazhdimësi të qëndrueshme të një sistemi demokratik dhe ekonomikisht stabil, por edhe të mbylljes së plagëve të hapura në të kaluarën. Problemi eminent është se cka do të bëjë Maqedonia deri në atë fund-prill të 2016. Nuk mundemi të futemi në animacion të suspenduar, të hibernojmë derisa të vijë momenti i inicimit të garës elektorale. Qeveria e ardhshme teknike duhet të jetë me të vërtetë teknike. Ajo duhet të përkujdeset që zhvillimi ekonomik dhe demokratik në shtet të marrë kahjen e duhur dhe të fitojë inercion të mjaftueshëm për të krijuar energjinë për të dalë nga të gjitha krizat që po na shterrin ditë për ditë. Kjo qeveri duhet të udhëhiqet nga njerëz të rinj, teknokratë, të pavarur politikisht, por do kisha thënë edhe pa ambicje iminente politike në zgjedhjet e ardhshme. Secila varijantë tjetër do të kishte qenë revanshizëm i dëmshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button