E-book, BE nis hetimet ndaj kontratave të Amazon

Bashkimi Europian ka nisur një hetim mbi sistemin e shitjes së e-book nga Amazon. Në veçanti, do të bëhen saktësime mbi disa klauzola të përfshirë në kontratat që Amazon bën me botuesit.

Ky hetim vjen pasi dyshohet se mund të krijojë probleme të konkurrencës në treg, duke reduktuar mundësinë e zgjedhjes së konsumatorit.

Sipas një zëdhënësi të Komisionit Europian, Ricardo Cardoso, hetimi është hapur me iniciativë të ekzekutivit të BE-së, me shqetësimin se klauzola të tilla mund të bëjnë më të vështirë konkurrencën me Amazon, në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve inovative, duke reduktuar mundësinë e zgjedhjes nga konsumatori.

“Nisja e hetimeve nuk paragjykon në asnjë mënyrë rezultatin”, thekson Cardoso.

Në një shënim, komisioneri për Konkurrencën, Margrethe Vestager shpjegon: “Amazon ka zhvilluar një biznes suksesi që u ofron konsumatorëve një sërë shërbimesh, përfshi dhe atë të e-book. Hetimi ynë nuk e vë në diskutim këtë pjesë. Mbi të gjitha është detyra ime të sigurohem që marrëveshjet e Amazon me botuesit nuk sjellin dëme për konsumatorin, duke u lejuar shpërndarësve të tjerë të e-book të konkurrojnë me efikasitet. Hetimi do të tregojë nëse këto shqetësime janë të justifikuara”./ TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button