Maqedoni, në aksionin policor në fshatin Vaksincë zbulohen 128 emigrantë (VIDEO)

Në aksionin policor në fshatin Vaksincë  të Kumanovës mbrëmë janë zbuluar 128 emigrantë nga Siria, Iraku dhe vende të tjera. Policia maqedonase gjithashtu  në njërën nga shtëpitë që ka kryer kontroll, ka gjetur një person 68 vjeçar për të cilin është lëshuar urdhër arresti për një vrasje, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Koteski, në një konferencë për shtyp tha se personat u gjetën në pesë nga 11 ndërtesat e kontrolluara nga policia. Ai njoftoi se emigrantët që janë gjetur janë të moshës mes 32 dhe 61 vjeçare.

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi penale kundër katër pronarëve të ndërtesave ku kanë qenë të strehuar emigrantët. Pronarët kanë lëshuar me qira ndërtesat për 1.500 euro në muaj ose kanë kërkuar nga emigrantët pesë deri në dhjetë euro vetëm për tu strehuar në ndërtesa. Emigrantët, sipas zëdhënësit Koteski, ishin të detyruar të qëndrojnë në këto ndërtesa, por kanë vepruar me vullnetin e tyre.

Koteski theksoi se në intervistat e kryera me emigrantët ilegal, të gjithë kanë deklaruar se në Vaksincë ata kanë ardhur me vullnetin e tyre, duke udhëtuar nga Greqia në drejtim të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian. “Asnjë prej tyre nuk ka thënë se ishte viktimë e forcës, kërcënimit apo shantazhit në lidhje me vend strehimet”, u shpreh ai.

Disa prej emigrantëve ndodhen në qendrat për azil, ndërsa disa të tjerë që duhet të dëshmojnë për procedurat tjera penale ndodhen në qendrën transitore. Koteski theksoi se gjatë aksionit në Vaksincë nuk janë regjistruar incidente, ndërkohë ende janë duke u siguruar një pjesë e ndërtesave. Siç tha ai, gjatë kontrollit janë gjetur armë zjarri, mjete teknologjike, para në vlerën prej 2.400 euro, si dhe theksoi se është gjetur edhe një këmishë me emblemë të UÇK-së.

Koteski informoi se personi i arrestuar në bazë të një urdhri të lëshuar është i akuzuar për një vrasje që është kryer më 6 janar të vitit 2001, kur në Kumanovë personi i arrestuar së bashku me dy persona tjerë të armatosur, të cilët i posedonin pa autorizim, kanë marrë jetën e një personi.

Ndërkohë, qindra emigrantë në kampin e refugjatëve në Gazi Babë të Shkupit, të cilët mbahen të mbyllur brenda sikurse në paraburgim, filluan të ankohen duke brohoritur pas hekurave “Ne duam liri”. Ata ankohen për arsye se tashmë për një kohë të gjatë jetojnë në kushte jonjerëzore dhe janë të revoltuar për arsye të qëndrimit për një kohë të gjatë në kamp pa iu mundësuar dalja para autoriteteve për të dëshmuar mënyrën e arritjes në Maqedoni.

Aktivistët e shoqërisë civile pohojnë se Maqedonia nuk trajton siç duhet krizën e emigrantëve dhe një nga arsyet për këtë është mos interesimi i institucioneve përkatëse, si dhe mos marrja e ndonjë vendimi për ndryshimin e Ligjit për azil. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, vitin e kaluar në Maqedoni kanë kaluar mbi 40 mijë emigrantë, prej të cilëve gjysma ishin nga Siria, ndërsa 40 përqind e tyre nga Afganistani.

Lajme të ngjashme

Back to top button