Kocijançiq: Liderët e partive të vijnë me propozime konkrete

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq, nuk deshi të saktësojë në mënyrë specifike se në cilin lider ka aluduar Komisionari Johanes Han në mesazhin e mbrëmshëm në Tuiter ku pas negociatave të pasuksesshme tha se ishte “zhgënjyer nga mungesa e lidershipit dhe përgjegjësisë së disa prej pjesëmarrësve.” Ajo konfirmoi se në tavolinë bisedohet për përbërjen e qeverisë e cila do ti organizojë zgjedhjet e ardhshme. Kocijançiq tha se Brukseli mbetet i përfshirë fuqimisht në lehtësimin e negociatave.

“Ju i dini disa elemente kyçe të marrëveshjes, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Por një nga pikat e mbetura në tryezë është formati i qeverisë që do ti zbatojë zgjedhjet. Nëse e shikoni me kujdes njoftimin, është thelbësore që liderët politikë të vendit të njohin përgjegjësinë dhe të dalin me një propozim kompromisi që do ti lejojë vendit të ecë përpara. Ekzistojnë nivele të ndryshme të përgjegjësisë të liderëve të cilët morën pjesë në takime. Nuk do ta veçoj askënd me emër, por ua tregova kuptimin e përgjithshëm të drejtimit, që do të thotë se liderët politikë duhet ta njohin përgjegjësinë dhe të dalin me një propozim konkret. Nëse e lexuat njoftimin në detaje, e vërejtët se KE-ja, mbetet e hapur për të lehtësuar procesin, mbetemi fuqimisht të përfshirë si dhe nuk janë paraparë takime në nivel të eurokomisarit të BE-së.”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Komisionit Evropian

Lajme të ngjashme

Back to top button