RDK dhe Lëvizja për reforma PDSH bashkohen në një platformë

Sot para mediave lideri i Lëvizjes për reforma në PDSH, Ziadin Sela dhe ai i RDK-së Vesel Memedi bënë publik bashkëpunimin e tyre në platformën e përbashkët “Aleanca për shqiptarët”.

Komunikata e plotë:

Shqiptarët në këta momente të vështira kërkojnë bashkimin në një zë të vetëm të forcave që do të sjellin ndryshimin e madh. Në rrugëtim dhe koncept, platformë dhe ide, sot aleancës-kundër-shqiptare i  përgjigjemi me Aleancën-për-shqiptarët.

Në emër të shqiptarëve sot, bazuar në parimin e veprimit politik për shqiptarët që do lindin nesër, shpallim këtë bashkëpunim.

1. RDK dhe LR-PDSH në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni do të garojnë të bashkuara me lista të përbashkëta.
2. LR-PDSH dhe RDK do të bashkohen rreth një Platforme të përbashkët, nga e cila do të dalin kërkesat e përbashkëta si zgjidhje e çështjes shqiptare në Maqedoni.
3. Me këtë hap, RDK dhe LR-PDSH vendosën, që nëse marrin legjitimitetin nga populli shqiptar në zgjedhje të drejta dhe demokratike, nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie në qoftë se në Programin e saj qeverisës nuk nis me ndryshimet kushtetuese që shqiptarët dhe maqedonasit t’i bëjë të barabartë në aspekt kombëtar.

LR-PDSH dhe RDK ftojnë gjithë shqiptarët, subjektet politike, sektorin civil që t’i bashkëngjiten kësaj bërthame politike shqiptare, që lindi si rezultat i nevojës për ndryshimin e madh.

Dështimi i bisedimeve maratonë në Bruksel në mes katër partive parlamentare në vend akoma më shumë forcon bindjen se Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kanë çelësin e zgjidhjes së kësaj krize politike. Çelësi është, dalja e këtyre dy “liderëve” që tashmë kanë humbur legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët, nga qeveria e Gruevskit. Kjo me automatizëm do të krijonte qeveri ekspertësh, ndërsa Z. Gruevski me automatizëm nuk do të ishte më Kryeministër, por vetëm qytetar i thjeshtë dhe kryetar i një partie politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button