Protestoj

Nuk do të protestoj se dua, por jam e detyruar. Sigurisht shumë më lehtë do të ishte sikur të gjitha ngjarjet politike t’i përcjellja në shtëpi nga mediat, por ka shumë arsye të cilat ‘më tërheqin zvarrë’ deri në turmën e protestuesve.

…Më detyron të protestoj fakti që një qytetare si unë shkruan për Maqedoninë, si sinonim i platformës së drejtë, anti-diskriminuese. Shkruan për shtetin parandalues, jo ndëshkues. Shtetin ku të paktën për çështje kruciale do të mirrej parasysh mendimi i ekspertëve dhe palëve të duhura. Jo për shtetin policor por për atë ekonomiko-social, që nuk do të kishte prioritet të shpërndajë ndihma sociale sa për të mbajtur popullin gjallë, por t’u siguronte atyre punë e t’ua rriste standartin jetësor. Ashtuqë veprat e liderëve më shumë se premtimeve shurdhuese do t’u ngjanin fabrikave profitabile.

Shkruan për liderë, tashmë të vetëdijshëm se asnjë hero, të cilit mund t’i ndërtohej statujë, nuk do të donte që ata të na kthenin mbrapa në Kohën e Gurit. Liderë të bindur se bashkëjetesa në Maqedoninë tonë multietnike nuk është pasuri, por domosdoshmëri. Liderë që nuk do t’i zinte gjumi përderisa fëmijët të lypin rrugëve, si të dënuar për krim të pabërë!

Por paradoksalisht me kohën kur po jeton një qytetare si unë nuk mund të gjejë titull më të përshtatshëm se sa vetëm “Ëndrra ime”… Pra më detyron të protestoj frika se edhe për shumë kohë një ëndërr si kjo do të mbetet utopi.

…Në protestë më dërgon fati i një studente ambicioze si unë, e cila gjatë debateve rreth të rinjve dhe demokracisë, në vend të diskutimit me ide progresive e inovative si bashkëmoshatarët e tjerë në botë, paraqitet thjeshtë vetëm me tezë për dalje nga kriza, duke mos mundur t’i shmanget realitetit aktual. Në vend se të ndjejë optimizëm ajo çdo ditë sheh se si miqtë e saj po e braktisin vendlindjen, duke e paguar koston e shtetit të partizuar. Një studente si unë është e shqetësuar për të ardhmen e saj…
Kështu që në protestë më dërgon borxhi që kam jo vetëm ndaj vetvetes, por edhe ndaj prindërve e mësimdhënësve. Ndjej përgjegjësi edhe ndaj gjyshit të ndjerë, i cili mërzitej se diploma do të më bëhet zbukurim në muret e dhomës.

…Më detyron të protestoj vetë e vërteta se koalicioni qeveritar është makiavelist dhe i rrezikshëm, që për të zgjatur qëndrimin në pushtet nuk kursen jetën e qytetarëve. Është koalicion i ndotur me Jugohrom. Është i errët me shumë paqartësi e raste të montuara sa që as vrasja e Harun Aliut, as Rasti i Brodecit e as Rasti Monstra nuk u bë shkak që parterët e koalicionit të ndjejnë përgjegjësi morale dhe të japin dorëheqje të ndershme. Është koalicion i përgjakur, për të cilin aksionet me pasoja janë të suksesshme.

Më detyron të protestoj tmerri kur lagjia normale përnjëherë u shndërrua në fushëbetejë. E banorët e ngujuar u bindën se njeriu vetëm me të krisurat e armëve vrasëse nuk mësoheshka dot. Ata më nuk mendonin se nëse do të vriteshin do të ndjenin më shumë dhimbje se sa ajo që iu shkaktonte pritja për t’i vrarë. S’mund të besonin se luftohej në mes të civilëve të pafajshëm, përfshirë këtu edhe pleq e fëmijë! E më pak akoma të besonin se parterët e koalicionit apelonin që ta ruajnë gjakftohtësinë e se në ato momente kur ishte shkëputur çdo lidhje me sigurinë ata arritën të flasin për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Pikërisht ky absurditet më bind se koalicioni qeveritar është i dështuar e se mosinvestimin prej kohësh në Lagjen e Trimave e arsyetoi me djegien e saj. Do të protestoj sepse isha këtu, kur krisnin armët.

Nuk mbeti zgjidhje tjetër për t’ua kujtuar bartësve të pushtetit se unë, si qytetare jam burimi i vetëm i sovranitetit. Prandaj ftoj të më bashkohet secili që u solidarizua me Kumanovën, që ka një borxh a një ëndërr të ngjajshme, sepse nuk është njësoj si të vish e si të mos vish të shtunën!

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button