Gruevski: Zaev nuk dëshiroi marrëveshje

Pas përfundimit të bisedimeve në Bruksel, që rezultuan pa marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Shkup, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, gjithë fajin për dështimin e negociatave e hodhi mbi liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.

Ai tha se Zaev qëllimisht ka shtruar kërkesa të papranueshme për të pamundësuar arritjen e marrëveshjes dhe për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Ne folëm më shumë se 12 orë dhe deklarata ime përfundimtare është se Zaev nuk deshi të arrijë marrëveshje sepse ai nuk erdhi për të bërë marrëveshje. Ai erdhi që të mos bën marrëveshje. Ai trembet prej zgjedhjeve, sepse e din se në zgjedhjet e ardhshme do të pësojë dështim të rëndë. Nuk dëshiron as të ketë marrëveshje e as zgjedhje. Ky është problemi me të. Ai nga atmosfera që e shfaqi ditëve të fundit tregonte se nuk donte të arrijë marrëveshje. Ai me deklaratat dhe intervistat që i ka dhënë tregon se do të bë bëjë çka mundet sa që të mos arrijë në marrëveshje, sepse nëse ka marrëveshje, ai do të duhet të shfaqet në zgjedhje, para popullit, dhe ashtu do ta përjetojë humbjen më të madhe në historinë e LSDM-së. Është e qartë se ai nuk donte të arrijmë sukses në takimin e sotëm. Një njeri që dëshiron marrëveshje nuk sillet si Zaev. Ai nuk dëshironte marrëveshje. Së pari, që të mos mbahen zgjedhje të parakohshme, pasi ai nuk ka mbështetje te qytetarët dhe e dyta, ai dëshiron t’i shkaktojë sa më tepër dëm ekonomisë së vendit, pasi beson se përmes një kaosi të tillë, do të përfitojë politikisht. Këto janë qëllimet e tij”, tha Gruevski.

Në një reagim me shkrim të partisë opozitare LSDM thuhet se gjatë bisedimeve në Bruksel nuk u përmbush kushti thelbësor për zgjidhjen e ngërçit, që sipas këtij subjekti, është formimi i qeverisë kalimtare pa Gruevskin kryeministër.

Më tej, në reagim thuhet se është e papranueshme që shkaktari i krizës, Nikolla Gruevski, të vazhdojë të drejtojë qeverinë që duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Lajme të ngjashme

Back to top button