UEJL dhe Universiteti i Gjilanit „Kadri Zeka” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) dhe Universiteti i Gjilanit „Kadri Zeka”, së bashku do t’i forcojnë dhe zgjerojnë marrëdhëniet midis vete në shkëmbimet e ndërsjella dhe në projekte kërkimore në fusha përkatëse. Kështu, vendosën sot (10 qershor 2014), në Tetovë, rektorët e dy universiteteve, Prof. Dr. Zamir Dika dhe Prof. Dr. Naim Syla, të cilët duke e theksuar rëndësinë e marrëveshjes vunë në pah se për realizimin këtyre objektivave do të ketë vizita dhe shkëmbim të anëtarëve të stafit didaktik dhe kërkimor, me qëllim promovimin e seminareve, kurseve, konferencave, përgatitjen e projekteve kërkimore në kuadër të programeve të ndryshme dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushat me interes të përbashkët, etj.

Rektori Dika, ndërmjet tjerash e theksoi përkitjen e UEJL-së me standardet ndërkombëtare, duke filluar nga programet studimore, metodologjia e mësimdhënies dhe mënyra e administrimit akademik. “Kjo na ka mundësuar që universiteti ta tejkalojë idenë primare për të reflektuar vetëm në tregun e Maqedonisë. Këtu, sidomos  duhet theksuar Kosovën, Luginën e Preshevës, Shqipërinë dhe të gjithë rajonin, duke e kuptuar vlerën shtesë që ka ky universitet dhe duke e mirëpritur si një model të ri universitar”, tha rektori Dika.

Rektori Dika në këtë takim shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, prorektori Ismail Zendeli, drejtori i Institutit kërkimor, Veton Latifi dhe këshilltari Demush Bajrami, ndërkaq rektori i Universitetit të Gjilanit shoqërohej nga prorektori Sadik Haxhiu dhe sekretari Vaxhid Sadriu.

Lajme të ngjashme

Back to top button