Tiranë: Pesë të arrestuar, vidhnin pensionet e të vdekurve

Një grup personash janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohen se përfitonin pensionet e personave të vdekurve prej disa vitesh. Policia bën me dije se pesë prej të akuzuarve janë arrestuar, ndërsa katër persona të tjerë janë ende në kërkim, transmeton Shekuli online.

Hetimi kishte nisur prej disa kohësh dhe në saj të operacionit “MIKS 2013” janë vënë në pranga shtetasit: Lumnije Dibra, Shpëtim Lika, Nexhat Nasufi, Lirije Stafhasani dhe Abaz Stafhasani. Të gjithë këta persona janë punonjës së administratës dhe nisur nga pozicioni i punës kishin hapur nga një llogari dhe për çdo muaj pensioni i personave të vdekur derdhej në gjendjen e tyre.

Ata kishin manipuluar dokumentet për shumë të vdekur, duke përfituar pensionet e tyre për një kohë të gjatë. Operacioni është bërë nga efektivët e kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës. Personat e ndaluar ishin të gjithë punonjës në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime në Tiranë. Kjo bandë ka kryer aktivitet kriminal që nga viti 1998 deri sot.

Prej 15 vitesh, kanë krijuar dhjetëra dosje pensionesh për persona të vdekur apo të krijuar fiktivisht dhe vlera e pensionit mujor që ata merrnin ishte 13 mijë deri në 18 mijë lekë të reja. Policia ka bërë të ditur se, hetimi kishte nisur që në muajin mars 2012 ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar edhe për 4 persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ata akuzohen për veprat penale, “korrupsionit pasiv”, “korrupsionit aktiv”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “mashtrimit” të gjitha të kryera në bashkëpunim mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button