Ministri kosovar Skënder Hyseni ka takuar ministrin Mitko Çavkov

Ministri kosovar i Brendshëm Skënder Hyseni ka takuar jo formalisht homologun e tij nga Maqedonia Mitko Çavkov, pas pjesëmarrjes në konferencën kushtuar emigrantëve ilegalë në Shkup. Sipas MPB-së, bëhet fjalë për një takim jo-zyrtar, në të cilin përveç marrëdhënieve mes dy vendeve, është diskutuar edhe rastin e Kumanovës dhe stabilitetin e rajonit. Pas takimit, Çavkov përsëriti se MPB-ja ka informacione relevante se grupe ose individë të caktuar po përgatisin aksione hakmarrëse në Maqedoni, pas rastit të Kumanovës, njofton Alsat-M.

“Kemi informacione dhe dyshime të caktuara se individë ose grupe mund të kryejnë sulme të caktuara ndaj individëve ose objekteve, në shenjë hakmarrjeje për realizimin e aksionit nga ana e policisë. Por duhet të them se siguria e vendit është stabile. Këto informacione tregojnë mundësi për kërcënime asimetrike. Të tilla ka edhe në vendet më të fuqishme në BE dhe më gjerë, në SHBA”, deklaroi Mitko Çavkov, Ministër i Brendshëm.

Ministri kosovar Skënder Hyseni nga ana tjetër foli vetëm çështjen e emigrantëve, ndërsa nuk iu përgjigj interesit të mediave lidhur me rastin e Kumanovës.
Pas kësaj vizite jo zyrtare, ministrat kanë rënë dakord që të takohen zyrtarisht në të ardhmen, edhe pse nga ministria e brendshme nuk përmendën ndonjë datë të fiksuar për takimin.

Lajme të ngjashme

Back to top button