fbpx

Samiti i G7-s, sukses apo dështim?

Njoftimi i G7-s për të hequr dorë krejtësisht nga energjia prej qymyrit, naftës dhe gazit gjatë këtij shekulli, nga disa opinionistë u përshëndet; nga të tjerë u prit me skepticizëm dhe me akuza për lojë të dyfishtë.

Një pjesë e shtypit gjerman e lavdëron Angela Merkelin, që arriti të shkëpusë prej 7-shes më të fuqishme të globit një deklaratë mbi ndryshimin e klimës, që i “tejkalon pritshmëritë”.

Sidomos Kanadaja dhe Japonia ishin dy vendet që duhej të bindeshin për të hequr dorë nga qymyri. Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, e akuzon Kancelaren se luan një lojë të dyfishtë në politikën e klimës.

“Drejtuesja e CDU-së gjeti fjalë të bukura në Elmau, por ajo nuk përdor fjalë të ashpra brenda radhëve të partisë së saj”, tha Hofreiter për gazetën “Neue Osnabrücker Zeitung”.

Ai iu referua kështu rezistencës së CDU-së dhe CSU-së ndaj kërkesës së zv.kancelarit socialdemokrat, Sigmar Gabriel, i cili ka kërkuar një taksë të klimës për termocentralet e vjetra me qymyr.

Nuk janë të paktë, megjithatë, ata që mendojnë se, pavarësisht fuqisë së tij ekonomike, grupi i 7 vendeve më të industrializuara të botës nuk arrin, që të shndërrohet në një fuqi politike.

Vendet e G7-s nuk ishin në gjendje t’i ndalin vrasjet dhe torturat e Shtetit Islamik, konflikti në Ukraninë nuk mund të zgjidhet pa Rusinë; ndërsa në krizën e Athinës topi është në fushë e qeverisë greke.

“Formati i grupit nuk e ka më rëndësinë e dikurshme – thonë këta zëra, – kur përpos të tjerash, dy dekada më parë llogariste 50% të prodhimit ekonomik botëror, ndërsa sot ka vetëm një të tretën”./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close