Ministri i Arsimit Ademi: nuk i trembem Gruevskit për emrat e shkollave

Pothuajse të gjithë funksionarët e BDI-së u mblodhën në një vend për të shënuar të arriturën e madhe të partisë së tyre, përkatësisht firmosjen e vendimit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi për ndryshimin e emrave të dy shkollave fillore të Çairit edhe atë pas dy viteve pritje. Ademi nuk pati guxim që të firmos ndryshimin e emrave të 4 shkollave fillore, por vendosi që të bëjë këtë vetëm më dy shkollat që nuk i ka kontestuar partneri i BDI-së, VMRO-DPMNE-ja. Sot ALSAT-M e pyeti Ademin duke u larguar nga ky manifestim, pse nuk e firmosi edhe vendimin për dy shkollat tjera.

Ministër a keni frikë nga kryeministri Gruevski për emrin Imri Elezi?
“Jo nuk kam frikë as nga ai e as nga dikush tjetër, unë vendimet i marr në përputhje me programin e partisë dhe në interes të qytetarëve.”
Pse nuk e nënshkruani këtë vendim?
“Do t’i nënshkruaj edhe ato, por në një moment të caktuar…”

E pyesim publikisht ministrin cfarë parashef programi i partisë? A ka paraparë ky program që të mos firmoset vendimi për ndryshimin edhe të emrit të shkollës fillore Nikolla Vapcarov që të mbajë emrin e ish pjestarit ët UÇK-së Imri Elezi.

Nga foltorja Ministri Ademi vetëm edhe njëherë premtoi se do të vijë koha që të ndryshohen edhe emrat e shkollave tjera.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës siguron nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit e nxënësve të shkollave tjera se do të vijë momenti kur edhe shkollat e tyre do tu bashkëngjiten shkollave që mbajnë emrat e heronjve shqiptar që janë vazhdimësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe që bënë historinë më të re të shqiptarëve në Maqedoni.”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës mori pjesë në shënimin  e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Ai më tej në fjalën e tij theksoi se tre ngjarjet historike, që në fakt janë edhe shtyllat kryesore në historinë kombëtare, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Alfabetit në Manastir dhe shpallja e pavarësisë së shtetit Shqiptar vazhdimisht duhet të kujtohen dhe të shënohen, jo vetëm me manifestime të këtilla, por është obligimi i historianëve shqiptar dhe të institucioneve shtetërore, siç janë ITKSHSHM në Shkup dhe Muzeu i Alfabetit në Manastir, që të vazhdojnë me hulumtimet e tyre që të nxjerrin në sipërfaqe fakte të reja historike të këtyre ngjarjeve të rëndësishme për shqiptarët. Ministria e arsimit dhe shkencës, shtoi Ademi, do të jetë në përkrahje të këtyre institucioneve shqiptare dhe të historianëve në përgjithësi. Ai nxënësve dhe të punësuarve në SH.F “ Jashar Bej Shkupi” Ju dëshiroi suksese në punën e mëtutjeshme.

“Në emër të MASH të gjithë të të punësuarve, nxënësve dhe prindërve të nxënësve të shkollës fillore “Jashar Bej Shkupi” ua uroj emrin e shkollës, kurse në veçanti nxënësve i’u dëshirojë sukses në mësim”, tha ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi.

Dy ditë më parë Ministri i Arsimit, firmosi vendimet vetëm për dy nga 4 shkollat e Çairit. Hasan Prishtina dhe Jashar Bej Shkupi tashmë kanë zëvendësuar emrat e Cvetan Dimovit dhe JaneSandanskit, kurse ende në procedurë mbeten emrat e Imri elezit dhe Ismail Qemalit për shkollat Nikolla Vapcarov dhe Rajko Zhinzifov.

Lajme të ngjashme

Back to top button