CIVIL: Maqedonia ka nevojë për reforma të vërteta demokratike

Rekomandime të CIVIL – Qendrës për Liri, për masa urgjente të cilat duhet ndërmarrë për zgjidhjen e krizës politike dhe kthimin e demokracisë në Republikën e Maqedonisë

Republika e Maqedonisë ka nevojë për reforma të vërteta dhe gjithëpërfshirëse demokratike. CIVIL – Qendra për Liri iu bashkua koalicionit Qytetarët për Maqedoninë dhe në tërësi i përkrahë kërkesat dhe kushtet tanimë të paraqitura para publikut, drejtuar qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ato përfshijnë dorëheqjen e Qeverisë, rishqyrtim të Listës Zgjedhore, eliminimin e ndikimit partiak mbi Radio Televizionin e Maqedonisë (radio-televizioni publik) dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Partia aktuale në pushtet VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Gruevski s’duhet lejuar të organizojnë zgjedhjet, duke pasur parasysh mashtrimet zgjedhore të kryera vitin e kaluar nën sundimin e tyre.

Jemi të bindur se afati i dhënë për procesin e përgatitjes së zgjedhjevetë parakohshme parlamentare në prill 2016 është tejet i shkurtër. Kërkojmë zgjatjen e kësaj periudhe në 18 muaj ose më shumë, me qëllim të përgatitjes së kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira. Më saktë, rekomandojmë që kjo periudhë të konsiderohet nga dita e formimit të qeverisë kalimtare.

Paraprakisht, organizatat e shoqërisë civile të Koalicionit iu drejtuan përfaqësuesve të lartë të diplomacisë së huaj me disa qëndrime, mes të cilëve është edhe kërkesa për përfshirjen e tyre në procesin e negociatave (LINK ose www.gragjanite.mk).

CIVIL – Qendra për Liri, duke pasur përvojë dhe duke pasur parasysh vëzhgimin afatgjatë të zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut në vend, si dhe analizave të sistemit zgjedhor në vend, e ofron ekspertizën dhe asistencën e vet në fushat e domosdoshme për kthimin e demokracisë në vend. Në vazhdim, shkurtimisht i paraqesim masat prioritare të cilat duhet të merren në konsideratë:

1. Rizgjedhja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor

Kjo masë është thelbësore sa i përket çlirimit të këtij trupi nga ndikimi i cilësdo parti politike. Ky trup duhet të përbëhet nga ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe nga ekspertë dhe të dërguar nga jashtë. Rishqyrtimi i Listës Zgjedhore duhet të kryhet nga një trup i pavarur, të krijuar nga shoqëria civile dhe nga ekspertë, të vendit dhe ndërkombëtarë.

2. Reforma të sistemit zgjedhor

Këto reforma përfshijnë disa ndryshime, siç janë: Maqedonia si një njësi zgjedhore, lista të hapura, masa për parandalimin e mashtrimeve e tjerë, në pajtim me pakon e propozimeve të elaboruar nga CIVIL – Qendra për Liri, në bashkëpunim me organizatat me përvojë të vendit dhe nga jashtë.

3. Reforma thelbësore në sferën e rregullimit të mediave

Kjo kërkon përbërje të re të Agjencisë për Shërbime të Mediave Audio dhe Audio-Vizuale (ish-Këshilli për Radio-Difuzion) dhe të Agjencisë për Komunikime Elektronike, me qëllim të arritjes së paku lirisë minimale të shprehjes dhe krijimit të kushteve për ekzistimin e mediave të lira dhe të pavarura.

4. Krijimi i një komisioni të posaçëm për investigimin e krizës së sigurisë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj

Ekzistojnë dyshime serioze për përfshirjen e zyrtarëve qeveritarë në tërë këtë çështje, me elemente të larta të korrupsionit, që çuan drejt krizës dhe mund të rezultonin me pasoja sigurie.

5. Krijimi i një komisioni të posaçëm për investigimin e dyshimeve për krime, që dalin nga bisedat e përgjuara telefonike të publikuara nga opozita

Sipas dyshimeve, më shumë se 20.000 individë në vend janë përgjuar në operacionin masiv të përgjimit të orkestruar nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe Drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijallkov. Këto biseda zbardhin një abuzim të pushtetit në përmasa të mëdha, mashtrime zgjedhore dhe një listë të gjatë të shkeljeve nga ana e zyrtarëve më të lartë qeveritar.

Gjithashtu, propozojmë nisjen e një investigimi ndërkombëtar, të pavarur, rreth dyshimeve për abuzim masiv të fondeve publike dhe nxjerrjen e tyre jashtë vendit.

6. Masa urgjente për reforma në gjyqësi dhe në prokurorinë publike

Dorëheqja e prokurorit publik është një masë e domosdoshme. Krahas kësaj, masa urgjente duhet ndërmarrë me qëllim të reformimit të gjyqësisë dhe prokurorisë publike. Kjo do të thotë vendosje e një trupi – këshill i posaçëm i gjykatësve, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët do të kenë mandat ta ndjekin apo të vendosin veto mbi vendimet dhe akt-vendimet gjyqësore. Kjo duhet të shërbejë si bazë për reforma themelore në sistemin e jurisprudencës në vend në një ardhmëri të afërt.

Si pjesë e intervenimeve në gjyqësi, nevojitet një ndërprerje urgjente e proceseve gjyqësore politikisht të motivuara kundër opozitës, aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe gazetarëve dhe çlirimin e të burgosurve politik.

Nga viti 2010, CIVIL – Qendra për Liri bën kërkesë publike për dhënie fund të përndjekjes politike.

Në këtë drejtim, edhe një herë deklarojmë:

Të burgosurit politik nuk janë veçoria e vetme e gjyqësisë së politizuar, por, gjithsesi, paraqesin një ilustrim të dukshëm të gjendjes me institucionet e gjyqësisë. Në një gjendje të këtillë, është vështirë të paramendohen zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Kërkojmë ndërprerje urgjente të përndjekjes politikisht të motivuar të gazetarëve dhe aktivistëve civil.

Kërkojmë ndërprerjen urgjente të proceseve gjyqësore politikisht të motivuara kundër opozitës.

Kërkojmë çlirimin urgjent të të burgosurve politik dhe personave të paraburgosur, sidomos të atyre të cilët u paraburgosën pas protestave të 5 majit.

7. Zgjedhje të parakohshme parlamentare, presidenciale dhe vendore

Në fund, Civil – Qendra për Liri i përsërit kërkesat për zgjedhje të parakohshme vendore dhe presidenciale në vitin 2016, njëkohësisht me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kjo deklaratë është në bazë të vëzhgimit afatgjatë të CIVIL dhe të konkluzioneve të sjella në raportet për zgjedhjet në vitin 2013 dhe 2014, si dhe të raporteve dhe analizave të tjera dhe kërkesave publike nga ana e organizatave dhe institucioneve të tjera relevante në nivel vendor dhe ndërkombëtar (Shih: Electoral processes in 2013 and 2014 are illegitimate të 30 prillit, 2015).

Lajme të ngjashme

Back to top button