TË MËSOSH NJË GJUHË QENKA KRIM KULTUROR

Katër maj 1980. Edicion special i lajmeve. Spikeri, pa përshëndetur spektatorët, kumton lajmin e vdekjes së Titos. Poetët shtetërorë kanë për çfarë të shkruajnë. Ikja e idhullit të tyre i ka tronditur. Vargjet e tyre janë plot patetikë. Poetja bërtet: “4 maj 1980. Ndërpritni gjithçka!”. Është kjo akademikja e sotme, Katica Culafkova. Dje vajtonte për Titosllavinë, siç e quanin disa akademikë e poetë të këtij kalibri Jugosllavinë e Titos, kurse sot “vajton” për çështjen maqedonase, por gjithmonë duke ndjerë nostalgji për kohën e Titos.

“Mos shkruani për princa se do të pendoheni!”, shkruante shkrimtar i vërtetë Danillo Kish. Katica jonë, që nuk është penduar pse ka shkruar për princat, para shkrimtarëve dhe studiuesve të huaj flet për internacionalizëm letrar, shtiret si mendjehapur, por është tmerrësisht e ngarkuar me ndjenja antishqiptare. Është dinake, hipokrite dhe poete mediokre. Mund ta quajmë pjesëtare të inteligjencies shtetërore.

Katica e famshme ndryshe shkruan nëpër gazeta dhe ndryshe flet në takime private. Tenton të imponohet si tolerante. Por kjo është dyfytyrësi intelektuale. Mjerisht është ndër kryesorët e PEN Qendrës për Maqedoninë, ku ka krijues/e me mbingarkesa albanofobe. Shumë shkrimtarë shqiptarë të Maqedonisë para mund të arrijnë te çmimi Nobel, se sa të jenë anëtarë të kësaj qendre.

Shqiptarët janë treguar korrekt ndaj saj, por ajo është treguar gjithmonë mosmirënjohëse. Dhe ja së fundmi ajo doli me tezën idiote: maqedonasit të mos e mësojnë gjuhën shqipe, sepse ky na qenka “krim kulturor”!

Ajo citohet të ketë llomotitur: “Askush nuk ka të drejtë të detyrojë maqedonasit të mësojnë gjuhën shqipe. Ky është krim kulturor që detyron maqedonasit të përdorin një gjuhë tjetër. Këto janë masa ekstreme radikale që kërcënojnë në tërësi pasqyrën identitare të shtetit maqedonas”.

Se mos i ka detyruar dikush maqedonasit të mësojnë shqipen, ashtu siç shqiptarët kanë qenë dhe janë të detyruar të mësojnë maqedonishten…

Nuk kam respekt për akademiken, ndonëse, në disa raste, ka tentuar të tregojë mirësjellje ndaj meje. Nuk kam respekt për shkakun se idetë e saj janë të rrezikshme. Nëse atë e tmerron gjuha ime, që për mua është e shenjtë, atëherë është marrëzi të kem respekt për të.

Nëse, sipas kësaj logjike, maqedonasit nuk duhet ta mësojnë shqipen, atëherë a është krim kulturor që shqiptarët të veprojnë njësoj, pra të mësojnë maqedonishten? Unë them jo. Është mirë të njihet çdo gjuhë. Vetëm ata që kanë kompleks inferioriteti thonë të kundërtën. Po akademikja e ka hallin diku tjetër: të tregojë se kush është padroni i shtetit e kush hyzmeqari. E ky nuk është tjetër veçse kompleksi i hyzmeqares së bërë padrone.

Logjika e këtillë, si e akademikes, e ka sjellë Maqedoninë buzë greminës, sepse ka zënë rrënjë në politikën maqedonase, e cila, mjerisht, sikurse politika serbe, është ushqyer dhe ushqehet me helmet shoviniste prodhuar prej Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, gjegjësisht të ashtuquajturve shkencëtarë, sikurse edhe “babai” i kësaj Akademie Bllazhe Ristevski, ky rrenc i madh, i cili përtej Maqedonisë nuk merret seriozisht si studiues. Atij i intereson të ndikojë brenda gardhit. Deri më sot ja ka arritur qëllimit. Herë si akademik, herë si politikan. Rrenat e tij janë për konsum të brendshëm. E sa për konsum të jashtëm nuk pinë ujë derdimenologjitë e tij. Si shembull mund të marrim, bie fjala, studimin e Ulf Brunnbauerit mbi mitet historiografike në Republikën e Maqedonisë, që mund t’i referohemi më gjerësisht në ndonjë rast tjetër.

Mjerisht, akademikët tanë, me shumë ndikim në politikë, kanë vizion të errët për të ardhmen e shtetit. Ndonëse këmbët i kanë në shekullin 21, kokat e tyre ende kanë mbetur në shekujt paraardhës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button