Rrëfimi bizar i raporteve tona me Maqedoninë

Një ditë në qendrën spitalore maqedonase Sistina/Acibadem. Natën punojmë për ta zhdukur Maqedoninë nga faqja e dheut, kurse ditën kërkojmë prej tyre që t’i shërojnë fëmijët tanë. Absurdi shkon edhe më larg.

Me pak fjalë mund të them kështu: Dashuria për fëmijët tanë është shumë më e madhe dhe shumë më e thellë se sa durimi që mund të kemi për t’i testuar deri në fund kapacitetet e mjekësisë kosovare, në kurriz të shëndetit të familjarëve tonë.

Sigurisht e kuptuat, se për çka bëhet fjalë. Nuk është hera e parë, që pas një kaosi disa ditësh, ose disa javësh, dorëzohem para mjekësisë kosovare, e cila vazhdon të jetë në një gjendje kolapsi total.

Në këtë pikë vazhdimisht jam keqkuptuar. Nuk dëshiroj që edhe këtë herë të ndodhë e njëjta gjë.

Pra, unë nuk po them që nuk ka mjekë të mirë. Kemi pediatër të zotë. Kirurgë të jashtëzakonshëm. Kardiolog të nivelit europian etj. Sigurisht që ka.

Por mjekësia është sistem. Nuk mund të ketë rezultate të mira, nëse njëra hallkë nuk funksionon. Në këtë rast, ta zëmë, pediatri i mirë do të dështojë në misionin e tij, nëse laboratori ku kryhen analizat, punën e tij e kryen keq.

Dëgjoni se çfarë po ndodh: Personat të caktuar, për ta testuar saktësinë e punës së laboratorëve, urinën e njëjtë e dërgojnë në dy laboratorë në të njëjtën kohë. Në njërën i del me baktere, në tjetrën pa baktere.

Çfarë duhet të thotë pediatri pastaj? Cilës analizë t’i besojë? Apo t’i thotë ta dërgojë në laboratorin e tretë, sepse populli thotë ‘e treta e vërteta’. Kjo punë është hajgare!

Si baba i shumë fëmijëve, i katër, sigurisht se më bie më shpesh që të përballem me problemet e tyre. Tash së fundmi po merresha me më të voglin, i cili kishte një temperaturë jo shumë të madhe, por e kishte të vazhdueshme.

Ka kohë që në Pediatri, QKU, janë vetëdorëzuar kur është fjala për të kryer analiza për fëmijët në nevojë. Përgjigja e parë që merr është se ‘disa analiza nuk mund t’i kryejmë këtu’ kurse përgjigja e dytë pas saj është se ‘edhe ata që i kryejmë nuk janë të sakta’.

Cila është zgjidhja? Dilni bëni diku jashtë, në laboratorët privatë.

Pse duhet te besojmë që ‘jashtë’ i bëjnë mirë? Pason një rrudhje krahësh. Kurse ‘jashtë’ tash janë hapur qindra, në mos mijëra laboratorë. Unë nuk e di as kush punon aty, e as nëse janë të kualifikuar. Tepër zor e besueshme.

Tash të vazhdoj aty ku e lash – te fëmija im.

Pasi i bëra analizat ‘jashtë’, doli që në urinë kishte streptokok. Shyqyr që u gjet arsyeja. Me analiza në dorë u nisëm për tek mjeku, në këtë rast mjekja. Entuziazmi u venit, kur ajo tha se aspak nuk i besonte kësaj analize, sepse nuk besonte që mund ta kishte ketë baktere pacienti i vogël.

E halli?

Një antibiotik, për çdo rast, për ta luftuar atë bakterien ‘fiktive’. Kështu, në mungesë të një njohurie precize, pacienti i vogël, fëmija im, po përballet me antibiotik, në 6 muajt e fundit, për të tretën e katërtën herë. Pra, pothuajse çdo muaj nga 7-10 ditë antibiotik.

Dhe kur edhe pas tri ditësh përdorimi të antibiotikut kundër ‘bakteries fiktive’ fëmijës i paraqitet prapë temperatura nuk të mbetet zgjidhje tjetër, pos ta kthesh kokën në drejtim të Maqedonisë – tek klinikat e famshme private.

Pas mendimit për të trokitur në dyert e Maqedonisë, emocioni i dytë është një duq i madh i inatit dhe marazit i mbledhur diku në gjoks. A është e mundur që edhe për infeksionet më ordinere, a për ndonjë virus të zakonshëm, të kërkojmë ndihmën e mjekëve të shtetit që ia dëshirojmë fundin çdo sekondë.

Sigurisht që këto pyetje janë legjitime, por irrelevante kur vjen në pyetje shëndeti i familjeve tona. Krejt çfarë dëshirojmë është një trajtim mjekësor profesional, e që aktualisht mjekësia jonë nuk e ofron. Nuk e ofron sistemi ynë mjekësor.

Prandaj dilemat janë të tepërta. Sa më shpejt që nisesh për Shkup aq më mirë. Ketë herë vendimet po i marrim bazuar mbi premisa tjera, ku krenaria nuk e ka asnjë pikë.

Në Han të Elezit, kah maqedonasit, përveç oficerëve të rregullt kufitar, patrullojnë edhe forcat speciale, të pajisura me armë automatike, të drejtuara, kushtimisht, ndaj secilit vizitor që nga Kosova futet në shtetin e tyre. Kurse, ne, me bisht nën shalë, ulim kokën dhe kërkojmë ilaçin prej tyre.

Acibadem/Sistina është një prej qendrave spitalore ku më shumë gjen shqiptarë të Kosovës, se sa maqedonas. Këta të fundit, për arsye financiare, si pikë të parë të tyre, sigurisht, i kanë qendrat publike shëndetësore. E gjithashtu, besoj, në qendrat publike, si ambulanta dhe spitale, i kanë të punësuar edhe pjesën më profesionale të stafit të tyre.

Sidoqoftë, edhe qendrat private, si Sistina, Remedika etj., janë mjaft të avancuara, krahasuar me çfarë kemi ne në Kosovë. Mjekët, pothuajse të gjithë maqedonas, janë të përzemërt. Ndonëse, lypsarë, ndonëse, me nder jush, si të dhier ndër veti, ne provojmë që ta ruajmë njëfarë krenarie absurde kombëtare.

Derisa po prisja, brenda spitalit, në njërën prej pikave për konvertimin e eurove në denarë, një nevojtar para meje, shqiptar, po i kërkonte bankierit që t’ia konvertonte 100 euro. Po i fliste shqip. Bankeri po i thoshte maqedonisht “Ne razbiram”.

E kisha një bindje që edhe shqiptari dinte të thoshte në njërën prej gjuhëve sllave 100 euro, e sigurisht se isha i bindur që edhe bankieri e kuptonte fare mirë shqiptarin kur po i thoshte 100 euro në shqip. Ketë konflikt linguistik këta dy kokëfortë e zgjidhen me një laps dhe një fletë, ku shqiptari e shkroi numrin 100.

Kurse, derisa shqiptari dhe maqedonasi po luftonin për kauzat e tyre kombëtare rreth dilemës nëse duhet t’i thuhet 100 eurove në gjuhën shqipe a maqedonase, prapa meje e kisha një shqiptar tjetër nga Kosova, i cili po më tregonte për hallin e tij.

“Mos ta bisha djalin këtu, ke tum shku’.

Pse çka pat djali?

“Kurrgjo. Ni infeksion. Po nuk ke punë që i bishin në fije në QKU.”

Tash a është ma mirë?

“Po morë pështoi. Sot po e marr me veti”.

Ky rrëfim më ktheu prapa në kohë, kur edhe një fëmijë i imi ‘ke tum shku’ për shkak të një infeksioni të veshit. Dy intervenime kirurgjike në kokë, në QKU, nuk kishin mjaftuar për ta eliminuar infeksionin. Të tretin e kryen maqedonasit në Sistinë, me plot sukses.

Me fjalë të tjera, të dashur lexues të këtij shkrimi, mjekësia e jonë është katandisur në këtë gjendje. Ne bijtë dhe bijat e Republikës së Kosovës duhet të nënshtrohemi, të ulim kokën, dhe t’i themi si duhet fjalët në maqedonisht.

Është e vështirë, është e pamundur, të jesh edhe lypës, edhe krenar. Krenarinë duhet ta dorëzojmë tek polici kufitar në Han të Elezit. Sepse mjekësia jonë, QKU, sistemi shëndetësor, është kidnapuar. Dhe ne jemi dorëzuar.

Prandaj nuk ka pikë lezeti që t’i mësojmë në gjuhën shqipe maqedonasit. Në gjuhën shqipe, 24 orë, flasin në QKU dhe në laboratorë. Por vetëm gjuha shqipe nuk na mjafton për të na shëruar.

Gjuha shqipe, aktualisht, është gjuhë e terrorit. Është gjuhë e paditurisë. E analfabetizmit. Në gjuhë shqipe kërkohet korrupsion. Në gjuhë shqipe jepet ryshfet. Duke folur shqip vidhet shteti. Shkatërrohet shteti.

Lajme të ngjashme

Back to top button