Ushtrimet që mundin kokëdhimbjen

Shkencëtarët nga Danimarka e kanë kryer një hulumtim të vogël në të cilin kanë konstatuar se ushtrimet e forcës mund të ndihmojnë në parandalimin e kokëdhimbjes dhe zvogëlimin e intensitetit të tyre

Muskujt e qafës dhe të shpatullave tek personat të cilët kanë probleme të shpeshta me kokëdhimbje, janë më të dobët për 26%.

“Me qëllim të parandalimit dhe zbutjes së kokëdhimbjes është shumë e rëndësishme të kuptohet parimi mbi të cilin funksionon sistemi muskulor dhe skeletor”, deklaroi udhëheqësi i studimit, prof. Bjarne H. Madsen.

Në studimin, rezultatet e të cilit u publikuan në revistën Cephalalgia, morën pjesë 60 të rritur të cilët vuanin nga kokëdhimbje të shpeshta dhe 30 që nuk vuanin. Kokëdhimbjet e shpeshta nënkuptojnë kokëdhimbjet që ndodhin 3 deri 4 herë në javë. Shkencëtarët e testuan dhe matën forcën e muskujve të qafës dhe shpatullave tek çdo pjesëmarrës dhe në fund zbuluan se ata janë madje 26% më të fortë tek personat të cilët nuk vuajnë nga kokëdhimbjet e shpeshta.

Studimet e mëparshme kanë treguar tashmë se ushtrimet e rregullta mund të ndihmojnë në parandalimin dhe zbutjen e intensitetit të kokëdhimbjes, ndërsa me këtë hulumtim kjo edhe konfirmohet. Shkencëtarët u befasuan nga fakti se muskujt e qafës dhe të shpatullave janë më të dobët tek personat që vuajnë nga kokëdhimbjet e shpeshta.

Lloji më i zakonshëm i kokëdhimbjes është kokëdhimbja e tensionit e karakterizuar nga shtypja e rritur, por jo aq shumë edhe dhimbjet, siç është rasti me migrenën ose kokëdhimbjen cluster, të cilat janë të shoqëruara zakonisht me zënie të sinuseve, ndjeshmëri ndaj dritës dhe madje edhe të përziera dhe të vjella.
Shkencëtarët theksojnë se forcimi i muskujve të qafës dhe shpatullave është veçanërisht i rëndësishëm për personat që e kanë punën që kërkon qëndrim të ulur, dhe këtë do ta arrini më së miri me ushtrimet më të mira të forcës, si pompat dhe ngritja e peshave.

Lajme të ngjashme

Back to top button