Liderët politikë të Maqedonisë nesër në takim me Hanin në Bruksel

Udhëheqësit e katër partive kryesore politike në Republikën e Maqedonisë, Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE), Ali Ahmeti (BDI), Zoran Zaev (SDSM) dhe Menduh Taçi (PDSH), gjatë ditës së nesërme do të kenë rreth pesë orë e gjysmë kohë, të cilën eurokomisari për negociata për zgjerim Johanes Hahn, do ta ndajë për ta në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Siç lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Brukseli, burime të larta nga KE-ja konfirmuan se në takimin e nesërm, që do të mbahet në sallën e konferencave në ndërtesën “Berlemont” të KE-së në Bruksel, është konfirmuar prania e katërshes politike të Maqedonisë, ndërsa nga ana e BE-së, krahas komisarit Han, pritet të marrë pjesë vetëm raportuesi për Maqedoninë nga Parlamenti Evropian, Ivo Vajgël.

Sipas informatave nga Qeveria joformale e BE-së, gjatë ditës së nesërme, së pari janë paraparë takime të ndara 45-minutëshe të komisarit Han me Zaevin dhe delegacionin e tij, ku janë edhe Renata Deskoska-Trenevska dhe Radmilla Shekerinska (e planifikuar për orën 11:00) si dhe për kryeministrin Gruevski, i cili vjen me Martin Protugjer, Nikola Popovski dhe Nikolla Todorov, ku është planifikuar takim bilateral me komisarin në orën 12:15.

Pas takimeve “bilaterale” me Zaevin dhe Gruevskin, rreth orës 13:00 pritet që katër udhëheqësit politikë të Maqedonisë, plus Han dhe Vajgël të ulen në tryezë të përbashkët dhe të dakordohen për t’i dhënë fund krizës politike. Ajo çka është e sigurtë është se Han ka kohë për të kontraktuar, më së voni deri në orën 17:30 – 18:00, pasi më vonë ka aktivitete tjera. Kjo do të thotë se eurokomisari për negociata për zgjerim i ka ndarë pesë orë e gjysmë për një marrëveshje, e cila pritet nesër të jetë përfundimtare.

Në takimin në Bruksel, të gjitha pritjet e KE-së janë se do të arrihet marrëveshje, sepse nëse liderët politik të Maqedonisë nuk e bëjnë këtë, posaçërisht pas kornizës së arritur, atëherë do të bie entuziazmi për ndërmjetësim të Hanit, ndërkaq është e mundur që ai edhe të largohet nga negociatat e mëtutjeshme dhe të njejtat t’i ndërmjetësojë euroambasadori në Maqedoni, Aivo Orav.

Paralajmërimet janë se korniza negociuese nga takimi në Shkup javën e kaluar është hapësira në të cilën pritet të lëvizin negociatat e nesërme dhe të njejtat të përfundojnë me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm, prëderisa ndërkohë do të punohet në Kodin zgjedhor, reforma në gjyqësi, sundim tëprëforcuar të së drejtës dhe lirisë së të shprehurit/mediumet.

Sipas paralajmërimeve nga Brukseli zyrtar, nëse ndonjë nga liderët politik nesër i minon negociatat me këkesa joreale apo plotësuese apo nëse më vonë e luan marrëveshjen e mundur, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jetë fajtor për stagnim të integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë.

Arsyeja që KE-ja tashmë po punon në raportin e progresit për vendin tonë, të cilin pritet ta publikojë më 13 tetor, ndërkaq i cili, nëse nesër nuk ka marrëveshje, pothuajse sigurisht nuk do të ketë rekomandim për hapjen negociatave inkuadruese, që KE-ja e bënte gjatë gjashtë viteve të fundit.

Lajme të ngjashme

Back to top button