OJQ-të letër BE-së dhe SHBA-së për Qeveri kalimtare

Përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët kanë qenë shënjestër e përgjimeve masive, shprehën revoltën për ndërhyrjen e pushtetit në komunikimin e tyre dhe përpjekjet për të penguar zërat kritik në shoqëri. Sipas tyre, shkeljet e tilla janë të pakorrigjueshme, prandaj Gruevski duhet të largohet sa më shpejtë.

LETRA E PLOTË:

Letër e organizatave joqeveritare drejtuar UE dhe ShBA: Kemi përgjegjësi të përbashkët në lidhje me stabilitetin dhe demokratizimin e Maqedonisë

Këtë letër jua drejtojmë në prag të raundit të ri të negociatave,të cilat duhet të mbahet në Bruksel më 10 qershor, mes dy liderëve të partive politike më të mëdha në Maqedoni, me ndërmjetësim të euro-komisarit Johanes Han.

Shkaku i letrës sonë, krahas nevojës që edhe një herë t’i rikujtojmë “vijat e kuqe” deri te të cilat mund të shkohet në negociatat, është deklarata e euro-komisarit Johanes Han, e dhënë në ShBA, në të cilën ai zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2014 i cilësoi si përgjithësisht pozitive, duke theksuar se raportet e OSBE/ODIHR konstatojnë atmosferë përgjithësisht demokratike.

Të provokuar nga kjo deklaratë, duam të rikujtojmë se zgjedhje të realizuara në mënyrë efikase, njëkohësisht s’do të thonë zgjedhje të drejta dhe demokratike. Mos harrojmë se OSBE/ODIHR, në raportin në të cilin thirret komisari Han, thekson një sërë parregullsish dhe shkelje të ligjit gjatë procesit zgjedhor, duke filluar nga qasja selektive e mediave gjatë informimit, ndjekja e atyre që mendojnë ndryshe, mosndarja e shtetit me partinë, si dhe konstatimi se gjatë zgjedhjeve mund të vërehet një dhunë strukturale, e cila, para së  gjithash, ka të bëjë me administratën publike. Misioni OSBE/ODIHR, në atë kohë, nuk mund të dinte për përmbajtjen e bisedave në të cilat në mënyrën më transparente zbulohen metodat e kryerjes së dhunës dhe mashtrimit zgjedhor. Në fakt, organizatat joqeveritare të cilat i ndoqën zgjedhjet konstatuan blerje të votave zgjedhore, agjitim dhe shtypje mbi të punësuarit në administratën shtetërore, jokredibilitet të listës zgjedhore, si dhe lëshim i pakontrolluar i dokumenteve personale dhe shumë parregullsi të tjera.

Në këtë kuptim, deklaratën e euro-komisarit Han e konsiderojmë si tejet joparimore dhe, së paku, të paqëndrueshme, sidomos nëse e kemi parasysh se edhe vetë Hani, në të njëjtën deklaratë, thekson se në bisedat e publikuara nga opozita ekzistojnë përmbajtje të cilat qartë tregojnë për vepra penale të cilat duhet hulumtuar.

Duke pasur tërë këtë parasysh, për ne është e paqartë se cili është motivi i euro-komisarit për të dhënë një notë pozitive për zgjedhjet dhe a thua aludon se Gruevski do të mund të jetë ai i cili do t’i realizonte zgjedhjet e vitit 2016?

Qeveria e Nikolla Gruevskit ka një praktikë të dëshmuar të falsifikimit të zgjedhjeve, me të cilën gjë në tërësi e delegjitimon vullnetin e qytetarëve. Kërkesa e Nikolla Gruevskit për të dhënë dorëheqje dhe të formohet një qeveri kalimtare, e cila do t’i realizojë zgjedhjet e parakohshme në prill të vitit 2016, bazohet mbi qëndrimin se pas shpalosjes së “bombave” nga ana e liderit të LSDM, qeveria e Nikolla Gruevskit s’ka fare legjitimitet për t’i zbatuar zgjedhjet e ardhshme.

Në mënyrë plotësuese, në këto biseda të zbardhura nga opozita, zbulohet se partitë në pushtet fare nuk janë përmbajtur nga keqpërdorimi i mekanizmave institucionale dhe nga fuqia të cilën e kanë nga pozita e pushtetit, për t’i frikësuar dhe për t’i kërcënuar qytetarët, për t’u konfrontuar me ata që mendojnë ndryshe apo për ta disiplinuar ushtrinë e vet partiake. Gjatë kësaj, theksojmë se praktika e këtillë nuk është një  incident, por një përditshmëri e vendosur, me të cilën ne – qytetarët, vazhdimisht ballafaqohemi. Edhe në këtë periudhë të negociatave, Nikolla Gruevski shërbehet me metodat e njëjta të presionit, frikësimit dhe ndjekjes së atyre që mendojnë ndryshe, për të cilën gjë flasin kërcënimet për arrestim të gazetarëve, automjetet e djegura të aktivistëve opozitar, sulme fizike mbi aktivistët civil dhe opozitar, të cilët nuk marrin përfundim gjyqësor nga ana e institucioneve.

Prandaj, Gruevski duhet të japë dorëheqje si akt i përgjegjësisë politike për gjithçka që ka bërë deri më tani. Dorëheqja e tij nënkupton se as ai, as ekipi i tij i ministrave, s’kanë kredibilitet për të qenë pjesë e qeverisë kalimtare, e cila do të kishte për qëllim ta zgjidhë krizën e thellë politike në Maqedoni dhe të organizojë zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike.

Në mënyrë plotësuese, rikujtojmë se në të njëjtën kohë me zgjedhjen e qeverisë kalimtare, janë të domosdoshme edhe disa reforma strukturale: pastrimi i listës zgjedhore, çlirimi i servisit publik radio-difuziv – MRT nga kontrolli i pushtetit dhe zgjedhja e prokurorit publik të pavarur.

Dëshirojmë t’i rekomandojmë Unionit Evropian se ka një përgjegjësi të veçantë në zbatimin e vlerave evropiane, siç është demokracia, sundimi i së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në Maqedoni. UE dhe ShBA, gjithashtu, kanë përgjegjësi për paqen, stabilitetin dhe demokratizimin e shtetit tonë, si garantues të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit nga viti 2001. Përgjegjësia e këtillë nënkupton ndihmë për shtetin në zgjidhjen thelbësore të krizës politike dhe çrrënjosjen e praktikave diktatoriale të pushtetit aktual. Pikërisht për shkak të kësaj, kjo krizë politike s’guxon të shikohet si mes dy partive, por, si luftë e qytetarëve kundër qeverisë autokrate.

Në të kundërtën, në rast se UE dhe ShBA i relativizojnë problemet e thella me demokracinë dhe funksionimin e institucioneve në Maqedoni, do të mund të ndihmojnë në vazhdimin e diktaturës dhe të shkaktojnë një dëshpërim të madh te qytetarët pro-europian, të cilët janë sinqerisht të përcaktuar për një Maqedoni demokratike dhe me prosperitet.

Me respekt

(janë nënshkruar 61 organizata joqeveritare)

Lajme të ngjashme

Back to top button