Maqedoni, stazhi do të blihet për 2800 denarë në muaj

Kuvendi republikan sot në kuadër të seancës së 53-të, i votoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, me të cilin lejohet blerja e stazhit.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov njoftoi se me këtë ligj përcaktohet mundësia për të siguruarit, i cili ka qenë në marrëdhënie pune, por nuk janë paguar kontributet për sigurim pensional dhe invalidor për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, për vete të bëjë pagesën e kontributeve dhe në këtë mënyrë të fitojnë të drejtën për sigurim pensional dhe invalidor.

“Do t’u ndihmojmë një numri të madh të qytetarëve të cilët shpesh gjatë periudhës së tranzicionit, apo për shkak të mbylljes së ndërmarrjeve për shkak të falimentimit dhe të likuidimit, jo vetëm që humbën punën, por nuk u janë paguar edhe një pjesë të kontributeve për sigurim pensional dhe invalidor për periudhën për të cilën kanë punuar”, tha Spasov, duke vënë në dukje se ka një numër të madh të njerëzve që përballen me këtë problem.

Vendoset, sqaroi ai, masë vullnetare që për një vit për të gjithë që duan të parashtrojnë kërkesë në Fondin për sigurim pensional dhe invalidor për të gjithë ata që kanë punuar në kompanitë që nuk ekzistojnë më në Regjistrin qendror, të parashtrojnë kërkesë që të mund ta paguajnë stazhin me norma preferenciale prej 50 për qind nga baza për llogaritjen dhe pagesën e kontributeve. Një muaj kjo do të kushtojë rreth 2.800 denarë. Do të mund në një mënyrë të blejnë stazhin dhe t’ju rregjistrohet në bazë për llogaritjen e pensionit në të ardhmen”, theksoi Spasov.

Në seancën e sotme të Kuvendit, pa debat u miratuan ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për menaxhimin e pronës së konfiskuar, përfitimet e pronësisë dhe sende të konfiskuara në procedurë penale ose kundërvajtëse, për të parandaluar korrupsionin në shitjen e tokës bujqësore në pronësi shtetërore, për procedurën tatimore…U miratuan edhe ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrin Qendror për operacionet e këmbimit valutor, për mbrojtjen e konsumatorit, për sistemin me një sportel dhe për mbajtjen e regjistrit tregtar dhe regjistrit të personave të tjerë juridikë.

Gjatë përcaktimit të rendit të ditës, Kuvendi vendosi që propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm të miratohen me procedurë të shkurtër. Ndryshimet pasojnë pas negociatave dhe marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së punëtorëve në arsim, shkencë dhe kulturë. Duke marrë parasysh marrëveshjen dhe fundin e vitit shkollor, Qeveria propozon që ligji të miratohet me procedurë të shkurtër, elaboroi zëvendësministri i Arsimit, Spiro Ristovski.

Me procedurë të shkurtër, sipas vendimit të Kuvendit do të miratohet edhe Propozim ligji për huazimin e RM-së tek Banka për zhvillim pranë Këshillit të Evropës sipas Marrëveshjes Kornizë për hua për financimin e projektit për ndërtimin dhe modernizimin e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup dhe Spitalit rajonal Klinik Shtip.

Kuvendi konstaton që me procedurë të shkurtër të miratohen edhe ndryshimet e ligjeve për falimentim, për hipotekë, për tokë bujqësore, për sigurim shëndetësor, për agjencitë e punësimit, për tokën ndërtimore, për arsimin e lartë.

Lajme të ngjashme

Back to top button