Nikoliq ofendon rëndë Jahjagën: Ti nuk je kryetare shteti!

Fjalët e rënda të presidentit serb, karshi homologes së tij kosovare, gjatë samitit “Brdo-Brioni”, në Budvë, të hënën, i ka treguar për gazetën “Novosti” këshilltari i tij, Ivan Mrkiq. Nikoliq i ka thënë Jahjagës se Kosova, të cilën nuk e njëh gjysma e njerëzimit, kurrë nuk do të jetë shtet. Për më tepër se kaq, ai duke folur për Kumanovën, ka thënë se këtu, shqiptarët, me egërsi po vrasin forcat e rendit

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq i ka thënë të hënën, homologes së tij nga Prishtina, Atifete Jahjagës, se Kosova nuk është shtet. Për më tepër, siç raporton gazeta Novosti e përcjell Klan Kosova, burri nga Beogradi i ka thënë asaj të mos shtiret sikur udhëheq një shtet.

Për këto muhabete, të zhvilluara gjatë samitit “Brdo-Brioni”, që u mbajt dje në Budvë të Malit të Zi, gazeta thirret në Ivan Mrkiqin, këshilltarin e kryetarit Nikoliq.

“Mos mendoni se po e udhëhiqni një shtet të vogël, pasi Kosova kurrë nuk do të jetë i tillë”, i ka thënë presidenti serb Jahjagës, sipas Mrkiqit.

Ky, siç transmeton Novosti, i ka thënë kryetares së Kosovës se “shqiptarët nuk po i përmbushin obligimet e marra nga marrëveshja e Brukselit dhe se kjo praktikë duhet të ndërrohet, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje e vërtetë me serbët, në vend se të mendojnë se janë një shtet të cilin gjysma e njerëzimit nuk e njeh”.

Më tepër se kaq, presidenti i Serbisë, sipas këshilltarit të tij, i është drejtuar homologes kosovare edhe përsa i përket zhvillimeve në Maqedoni. Në drejtim të saj janë bërë akuza të rënda gati deri në ofendime.

“Nikoliq i ka thënë asaj se pret që të paktën të kërkojë falje për ato që kanë bërë bashkëkombasit e saj, terroristët shqiptarë, të cilët me egërsi po vrasin në Kumanovë forcat e rendit, e në Prishtinë u përgatitet varrim solemen, në fakt, me nderime shtetërore”, ka treguar Mrkiq.

Ky i fundit, sic shkruan Novosti, ka thënë se pas këtyre fjalëve, Jahjaga ka heshtur dhe nuk ka folur më.

Klan Kosova është duke tentuar të kontaktojë zyrën e presidentes së Kosovës për të marrë ndonjë koment në lidhje me këto që ka thënë Mrkiq e ka shkruar Novosti.

Lajme të ngjashme

Back to top button