Komuna e Gostivarit: Qytetarët ta përshpejtojnë procedurën për legalizim

Sektori për urbanizëm në komunën e Gostivarit sot u bën apel qytetarëve që t’i përshpejtojnë aktivitetet rreth legalizimit të ndërtimeve pa leje të objekteve, duke pasur parasysh se afati i fundit për këtë masë skadon në fund të vitit.

Udhëheqësi i sektorit për urbanizëm dhe komunikacion Jeton Salija në konferencën për shtyp theksoi se procedurat për zgjidhje të një grupi të qytetarëve është në fazën finale.

“Në procedurat, rreth 250 qytetarë kanë marrë konkluzion për legalizim dhe u mbetet vetëm që t’i paguajnë mjetet të cilat detyrohen. Me pagesë, ata në një afat të shkurtër do t’i marrin edhe vendimet”, theksoi Salija.

Ai rikujtoi se në këtë periudhë, kur mërgimtarët vijnë në vendlindje, ndërsa kanë objekte të pa legalizuara, mund ta shfrytëzojnë qëndrimin dhe t’i plotësojnë lëndët me elaborate dhe dokumente të tjera, me të cilat komisionet do të mund të kryejnë ekspertizë.

Me procesin e legalizimit të objekteve të paligjshme, në komunën e Gostivarit, deri më tani me vendim të plotëfuqishëm janë legalizuar 2.500 objekte. Mbi 3.000 lëndë nuk janë kompletuar ose janë në fazën e shqyrtimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button