“Megafonat” e ndryshimeve kushtetuese

Maqedonia as sesi të zgjohet nga kllapia në të cilën është katandisur që nga pavarësimi i saj në vitin 1991 e sidomos nga viti 2001, kur u përballë me një konflikt ndëretnik. Në këtë shtet të brishtë politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht, problemet vit për viti u shtuan varg e vistër, por zgjidhja s’po duket në fund të tunelit.

Mbi të gjitha, janë tepër të dhembshme problemet në planin e marrëdhënieve ndërnacionale dhe ndërfetare, që po gërmojnë themelet e shtetit. Ç’është edhe më keq, në të shumtën e rasteve, këto probleme në të kaluarën janë inskenuar qëllimisht nga vetë qeveritë e instaluara, për përfitime politike klanore, ndonëse gjithnjë të maskuara nën velin pseudo-nacional. “Qeveritë nuk janë faktorë të zgjidhjes së problemeve, por ato janë vetë problemi”, ka thënë shumë kohë më parë presidenti elokuent amerikan, Abraham Linkoln.

Në këtë “lojë” skenash e prapaskenash politike, shqiptarët në Maqedoni dhe subjektet e tyre politike që po përkrahen, kanë qenë viktimë të skenarëve ngjarjesh “historike” në këtë shtet, të cilin pretendojnë ta kenë të përbashkët. 
Subjektet politike shqiptare, deri në ditët e sotme, assesi ta flakin servilizmin ndaj palës tjetër, sikundër dhe “modelin” tashmë standard të shtruarjes së kërkesave në spektrin e sendërtimit të interesave kombëtare në këtë hapësirë shqiptare. 

Është maksimë tashmë e njohur se të drejtat, qoftë universale, apo qytetare, kombëtare, gjinore, fetare e të tjera, nëse dëshirohen përnjëmend, s’duhet të kërkohen, por duhet të fitohen. Sepse, vetëm ato që fitohen, janë të pakthyeshme, ndërsa ato që kërkohen dhe jepen, një ditë edhe mund të reduktohen dhe të merren prapë. 

Në këtë kontekst, megjithatë, s’duhet abstraktuar fakti se shqiptarët në Maqedoni, në këto dy dekada të pavarësisë së këtij shteti, kanë realizuar së paku tre projekte madhore për interesa kombëtare: -Referendumin për Autonominë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni në fillim të vitit 1992, me një kapital verdikti prej mbi 350 mijë nënshkrimesh, që asnjëherë nuk u shfrytëzua për jetësimin e interesave kombëtare;
-Themelimin e Universitetit të Tetovës (1994), me sakrificë e vetëflijim deri në fitore, me shumë arrestime, burgosje, plagosje, madje edhe me një viktimë dhe; 
-Marrëveshjen e Ohrit që doli nga një konflikt i armatosur në vitin 2001, jo si një kërkesë e shqiptarëve, por si një fitore e tyre. 

Ç’është e vërteta, Marrëveshja e Ohrit kishte për synim ndryshimin e Kushtetutës së RM-së, e cila ishte bërë gjenerator i krizës në vitet e ’90-ta, ndaj dhe këtë rebelim të shqiptarëve e mbështetën në njëfarë mënyre edhe ndërkombëtarët, në krye me SHBA-në dhe BE-në, si garantues të implementimit të saj.

Dihet se kushtetuta e një vendi prodhon ligjet që duhet të jenë të zbatueshme, por ndryshimet në kushtetutën e këtij vendi që në start ishin “mbrojtur” me mekanizma etatistë dhe gjetën mbështetje në disa lajthitje juridike-politike, përderisa nuk u hoq nga drafti preambula për statusin e shqiptarëve si element konstituiv, që pastaj, si një spirale t’i hapet shtegu interpretimeve dualiste të dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit, secila palë sipas kuteve të veta, në mënyrë që ky dokument të shndërrohet në një nebulozë dhe mundësi për neglizhencë, zvarritje dhe obstruksione në implementim, deri në zhbërjen e saj perfide, si alternativë e mundshme.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese nuk është mbyllur, ajo ende mbetet pezull dhe është shndërruar në peng të marrëdhënieve mes bashkësive etnike. Opozita shqiptare vazhdimisht ka kërkuar ndryshime kushtetuese, por së voni edhe partia shqiptare në pushtet. Kohë më parë, këtë çështje e ngriti në një deklaratë të tij zv/kryeministri Musa Xhaferi (BDI), kur dolën në skenë kërcënimet për miratimin e ligjit segregacionist të ashtuquajtur të “branitellave”, kurse tash së voni shtroi këtë çështje edhe Suzana Saliu (BDI), nënkryetare e Parlamentit të RM, në një debat para Komisionit  parlamentar për çështje kushtetuese, duke shfrytëzuar një propozim për ndryshim kushtetues të një çështjeje banale, për “përkufizimin e bashkëshortësisë vetëm mes burrit dhe gruas”.

 
Moti s’kishim dëgjuar nga zyrtarë shqiptarë kërkesa kaq kapitale për ndryshime në kushtetutë, që konsistojnë me angazhimin për një Maqedoni si shtet binacional, me parlament dydhomësh, me ndarje proporcionale të buxhetit të shtetit sipas strukturës nacionale, marrjen e funksioneve më të larta shtetërore nga shqiptarë, funksionimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese e të tjera. 

Kjo, në njërën anë, bashkoi deri-diku pikëpamjet e të dyja partive më të mëdha shqiptare parlamentare, BDI-PDSH, që rrallë po ndodh, ndonëse kjo e dyta riafirmoi me këtë platformën e vet politike për “Marrëveshje të re historike shqiptaro- maqedonase”, që siguron të gjitha këto që po i përmend partia shqiptare në pushtet. Kjo gjë ishte halë në sy për palën maqedonase, që konsideron se “nuk është korrekte që shqiptarët sa herë të përmendet kushtetuta, të nxjerrin paketën e kërkesave etnike”. 

Kjo është ajo që thuhet sheshazi, por, në të vërtetë, palës tjetër i pengon orkestrimi i njëkohshëm i partive politike shqiptare, sepse ka kohë që atyre (shqiptarëve) u kanë shkaktuar goditje, për të mos i shuar kurrë zënkat politike të ndërsjella.

Pala maqedonase konsideron se nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, që paskësh qenë e imponuar nga ndërkombëtarët, me kalimin e kohës paska shkaktuar një “kaos sistemor” në këtë shtet, madje se qenkësh në kolizion me kushtetutën. Andaj, shikuar nga kuti i vet, ajo konsideron se duhet të bëhen ndryshime kushtetuese, “për të dal nga ky shteg pa krye”, në mënyrë që me kushtetutë të definohet “një rregullim i ri shtetëror”. 

Mbase kjo ide për ndryshimin e kushtetutës nuk shtrohet për të mbrojtur interesat vitale të shqiptarëve, por për reduktimin e tyre përballë Marrëveshjes së Ohrit dhe dispozitave të saj. Është pak e besueshme që të ndodhë një ndrydhje e të arriturave të deritashme, sepse këtë nuk do ta lejojë Brukseli, që monitoron zhvillimet në këtë vend kandidat për integrim në BE.

Krahas kësaj, mediat pro qeveritare po krijojnë këtu një atmosferë që nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese të bëhet revidimi i Marrëveshjes së Ohrit, “sa më shpejt që është e mundur, aq më mirë”, vlerësojnë këta megafona qeveritarë, të cilët “këtu e shohin shansin për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara”. 

Ata konsiderojnë se kushtetuta është peng i kërkesave etnike gjithnjë më të mëdha të bllokut politik shqiptar dhe kërkojnë që interesat shtetërore të jenë mbi ato partiake-kombëtare të shqiptarëve etnikë.

Rreziku nga ndryshimet e këtilla kushtetuese që po i imponon pala tjetër konsiston me vënien në funksion edhe regjistrimin e popullatës që dështoi në vitin 2011, si termin i paraparë për çdo dhjetë vjet, me të vetmin qëllim që përmes manipulimit eventual të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni, duke shfrytëzuar numrin e madh të mërgimtarëve tanë që nuk do të vijnë në vendlindje në kohën e regjistrimit, sipas mundësisë të ulet censusi nën 20 për qind dhe kësisoaj të vihet ad-akta edhe Marrëveshja e Ohrit që është ndërtuar jo mbi postulate universale të të drejtave kombëtare dhe civilizuese, por mbi numra dhe përqindje që mund të ndryshojnë.

Lajme të ngjashme

Back to top button