Jovanovski vazhdon të jetë portier i Shkëndijës

Porta e Shkëndijës duket në duar të sigurta edhe për 12-të muajt e ardhshëm, pasi kryesia e klubit dhe gardiani Marko Jovanovski kanë gjetur akordin për vazhdimin e bashkëpunimit. Portieri 26-vjeçar mbeti futbollist i lirë në fund të sezonit të posapërfunduar, mirëpo vendos t’i mbetet besnik Shkëndijës duke vazhduar kontratën edhe për një vit tjetër.

“Jam i lumtur për kontratën e re dhe faktin që do të mbetem pjesë e Shkëndijës. Unë jam shumë i kënaqur me qëndrimin këtu, mënyrën si trajtohem nga kryesia, bashkëlojtarët dhe publiku, kështu që nuk shikoja arsye për të ndryshuar diçka. Bisedimet me drejtuesit zgjatën shumë shkurtë pasi shpejt gjetëm gjuhë të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin dhe unë e them sinqerisht se jam shumë i lumtur për këtë gjë. Tani më mbetet të koncentrohem në përgatitjet para sfidave evropiane, ku shpresoj të paraqitemi mirë, ndërsa unë do të jap gjithçka nga vetja për të arsyetuar besimin e kryesisë dhe gjithë atyre që më mbështesin”, deklaroi portieri Marko Jovanovski pasi firmosi kontratë të re një vjeçare me ‘kuqezinjtë’.

Jovanovski tani më një kohë që është ndër futbollistët më të mirë të Shkëndijës dhe paraqitjet e mira e kanë bërë atë në një prej më të preferuarve të tifozëve të klubit. Ky do të jetë sezoni i katërt i Markos në fanellën ‘kuqezi’, pasi për herë të parë pjesë e klubit ishte në sezonin 2011-2012 pas çka kaloi në Qipro te Ethnikos. Mirëpo në me ardhjen e kompanisë ‘Ecolog’ në krye të klubit në vitin 2013 ai kthehet në skuadër, duke u konvertuar në një nga pikat kyçe të ekipit. Përveç Shkëndijës në kampionatin vendor Jovanovski ka luajtur edhe për Teteksin, Vardarin dhe Rabotniçkin.

Ndërkohë pas egzaminimeve mjekësore që futbollistët kishin në fundjavë në Prishtinë, ekipi është rikthyer në Tetovë ku vazhdon me seancat stërvitore. Ekipit i janë bashkuar një pjesë e futbollistëve që munguan në grumbullimin e parë dhe të cilët bashkë me disa tjerë që kyçen më vonë do të duhet të kalojnë ekzaminimet mjekësore në Prishtinë. Të hënën skuadra ka një seancë stërvitore, ndërsa të martën janë paraparë dy stërvitje.

Lajme të ngjashme

Back to top button