Fyle:Ka ardhur koha që të zgjidhet kontesti për emrin

Komisioneri evropian i angazhuar për zgjerimin e Unionit, Shtefan Fyle u bëri thirrje Maqedonisë dhe Greqisë që t’i përforcojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes për kontestin, që të mund të plotësohen rekomandimet, të cilat Komisioni Evropian vite me radhë i jep, me qëllim që Maqedonia t’i fillojë negociatat për anëtarësim.

“Unë kam shprehur mbështetje për këtë proces dhe sërish bëj thirrje që dy palët urgjentisht të bëjnë gjithçka që mundet që të zgjidhet kjo çështje. Ky është shkaku që vendi nuk mund ta ndërmerr hapin e ardhshëm të cilin Komisioni sërish dhe sërish e rekomandon, e kjo është që të hapen bisedimet për anëtarësim. Nuk dua paraprakisht të gjykoj çka do të ndodh këtë vit në raportin për progresin, por mendoj se ka ardhur koha që të zgjidhet kjo çështje.

Me këtë rast të mos shihet vetëm çmimi i kompromisit eventual, por edhe çmimi i mos shkuarjes përpara dhe mbajtja e gjendjes në status kuo edhe një vit ose më shumë”, deklaroi komisioneri Fyle, i cili sot ka takime në suaza të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Fyle të hënën u takua me ndërmjetësin në bisedime, ambasadorin Methju Nimetz. Në tetor pritet raporti i ri i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë. Nga viti 2009, Komisioni rekomandon hapje të bisedimeve për Maqedoninë, por Greqia rregullisht e bllokon këtë vendim të Këshillit Evropian, ku përfaqësuesi grek ka të drejtë të vetos.

Lajme të ngjashme

Back to top button