Kukësi gjobitet me 60 mijë euro nga UEFA

Kukësit i vjen dhe një tjetër gjobë nga UEFA, por këtë herë shumë më e majme. Të mërkurën organizmi më i lartë i futbollit europian ka njoftuar klubin verior se është gjobitur me 60 mijë euro nga Komisioni i Disiplinës.

Ky dënim i përket ndeshjes së luajtur më 22 gusht në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës, mes Kukësit dhe Trabzonsporit. Si njofton Panorama, në vendimin e dërguar nga Komisioni i Disiplinës, ndër të tjera thuhet se për arsye të pasigurisë së fushës dhe hedhjes së sendeve të forta, që sollën edhe ndërprerjen e lojës, klubi gjobitet me 60 mijë euro.

Duket se më shumë këto gjoba rëndojnë te klubi për fajin e policisë, e cila nuk ka mundur të sigurojë rendin dhe sigurinë, por sigurisht edhe për shkak të papërgjegjshmërisë së tifozëve. Shkresa lë hapësirë për ankimim të Kukësit brenda pesë ditëve.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka njoftuar klubin verior se duhet të shlyejë detyrimin financiar prej 60 mijë eurosh brenda 90 ditëve të ardhshme. Ndërkohë, në total për debutimin në Ligën e Europës dhe masat që janë marrë për katër ndeshjet në shtëpi, Kukësi është gjobitur me gjithsej 97 mijë euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button