Përleshje polici-protestues, përpara samitit të G7 në Bavari

Protestues të shumtë janë përplasur me policinë në qytetin resort gjerman të Garmisch-Partenkirchen, këtë të shtunë, ku me mijëra kanë dalë në demonstrata kundër takimit të udhëheqësve të G7-s vetëm një ditë më pas, pranë një hoteli tepër luksoz.

Policia është kundërpërgjigjur me spraj me piper, lotsjellës, kur një grup prej tubuesve tentuan të thyenin kordonin e tyre. Një përleshje e madhe shpërtheu në çast dhe mësohet se të paktën një protestues është larguar nga vendi i ngjarjes nga grupet paramjekësore të ndihmës së shpejtë.

Turma përllogaritej të ishte me rreth 3600 vetë, ndërsa organizatorët thonë se ishin më shumë, duke e çuar numrin në 4500 të tillë. Policia ishte dukshëm më e paktë në numër krahasuar me protestuesit në qytetin piktoresk, ish-vend ku janë mbajtur Lojërat Olimpike Dimërore, nën malin më të lartë të Gjermanisë, Zugspitze.

Duke u rënë baterive, tambureve dhe përplasur raketa metalike, protestuesit bënin thirrje për ndaljen e punimeve të samitit të G7. “Tullë pas tulle, mur pas muri, ndalni G7 dhe bëni sistemin të dështojë”, ishte një ndër thirrjet e tyre. Ata mbanin edhe pankarta, ku lexohej “luftoni G7 për të pasur revolucion”, si dhe “G7, shkoni në ferr. Unë e dua Putinin”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të presë udhëheqësit e Britanisë, Kanadasë, Francës, Italisë, Japonisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian të dielën, në takimin që pritet të fokusohet në çështje globale, si ndryshimet klimatike, lufta kundër pandemive, trazirat në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimi i dhunës në Ukrainë./ TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button