Putin: Rusia nuk e kërcënon NATO-n

Rusia nuk është një kërcënim për NATO-n, thotë presidenti Vladimir Putin. “Një i çmendur dhe në ëndrra mund të imagjinojë se Rusia do të sulmojë papritur NATO-n”, ka thënë Putin për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.

Aleanca Perëndimore ka rritur prezencën e saj në Europën Lindore në përgjigje të frikës së saj nga një kërcënim rus, pas përfshirjes në konfliktin në Ukrainë. NATO thotë se Rusia mbështet rebelët në Ukrainë, por kjo është mohuar nga Moska.

“Vetëm një i sëmurë mendor apo në ëndërr mund të imagjinojë që Rusia një ditë të sulmojë NATO-n. Të mbështesësh këtë ide nuk ka kuptim, është e pabazë. Ndoshta dikush është i interesuar të ushqejë këtë frikë. Unë vetëm mund ta mendoj. Për shembull, amerikanët nuk duan një afrim mes Rusisë dhe Europës. Nuk e konfirmoj, e them vetëm si hipotezë. Le të supozojmë se SHBA duan të ruajnë lidershipin në komunitetit atlantik. Kanë nevojë për një kërcënim të jashtëm, për një armik që ta garantojë. Dhe Irani sigurisht që nuk është një kërcënim shumë i madh. Me kë të ngjallim frikë? Papritur na shfaqet kriza ukrainase. Rusia është e detyruar të reagojë. Ndoshta gjithçka është bërë me qëllim, nuk e di. Por nuk e bëjmë ne. Dua t’ju them: nuk duhet pasur frikë nga Rusia. Bota ka ndryshuar shumë, dhe sot njerëzit e arsyeshëm nuk mund të imagjinojnë një konflikt ushtarak në një shkallë kaq të gjerë. Ne kemi gjëra të tjera për të bërë, ju siguroj për këtë”, ka thënë Putin për Corriere della Sera.

Më herët, NATO u zotua t’i kundërpërgjigjej “luftës hibride” nga Rusia, e cila përfshin një miksim të taktikave ushtarake konvencionale, fushatave shkatërruese dhe krimit kibernetik që Rusia po përdor në Ukrainë./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button