Rama fton biznesin italian: Shqipëria, një mundësi e re për të shtrirë investimet

“E shikonim Italinë si Amerikën, pas 50 viteve errësirë komuniste, ndërkohë që sot, investitorët italianë e gjejnë Shqipërinë, si një lloj parajse për të shtrirë bizneset e tyre”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama, në “Konventën e industrialistëve të rinj”, zhvilluar paraditen e së shtunës në Liguria të Italisë, ku moderator ishte personaliteti i medieve italiane, Enrico Mentana.

Kryeministri Edi Rama: Në Shqipëri nuk kemi as aktorë komikë, që të bëjnë politikë. Ne kemi aktorë komikë, që vënë në lojë qeverinë; por nëse qeverisin, pastaj fillojnë dhe vënë në lojë vendin.

Enrico Mentana: Kryeministri Rama i ka ndjekur gjithmonë televizionet italiane dhe e njeh Italinë shumë më mirë se kushdo tjetër.

Kryeministri Rama: Në Shqipëri na duhet të nxitojmë dhe t’i japim qeverisë kuptimin e një sipërmarrjeje, sepse për shumë vite kemi qenë të bllokuar nga një burokraci e shëmtuar. Jemi dakord me kushtet e Brukselit dhe na duhet të bëjmë gati një projektligj për 3 deri në 5 javë, sepse pastaj gjithçka mbetet pezull.

Enrico Mentana: Për Italinë, një ligj në 3-5 javë është një ëndërr. Çfarë është Shqipëria? Është bërë vendi, që ne donim të ishim, dhe që shqiptarët shikonin e të cilit i referoheshin? Çfarë keni mësuar të mos bëni nga modeli italian?

Kryeministri Rama: Në fillim të viteve ’90, Ganni Amelio erdhi në Shqipëri për të xhiruar filmin e tij të famshëm “L’America”, që ishte një ritregim i historisë së gjyshërve tuaj, që emigronin në Amerikë, kurse ne vinim në Itali, sepse ishte ajo Amerika jonë. E takova para dy vitesh, kur erdhi në Shqipëri për të bërë një film për një italian, që vinte në Shqipëri për të kërkuar punë. Në 20 vite, prirja ka ndërruar kah. Sot, rreth 20 mijë italianë jetojnë në Shqipëri, sipërmarrës dhe punëtorë, si edhe një numër i konsiderueshëm studentësh, që studiojnë aty. Ndërsa, po të më pyesin se çfarë është Shqipëria për një sipërmarrës italian, është ajo që ju shikoni në ëndrrat tuaja dhe atë që s’mund ta keni në Itali; domethënë një vend me taksa minimale, kosto të punës të arsyeshme, forcë pune të re dhe të kualifikuar; dhe distanca midis Italisë dhe Shqipërisë është më e vogël sesa veriu me jugun e Italisë. Në Shqipëri mund të hapësh një ndërmarrje brenda 8 orëve, duke paguar 1 euro.

Enrico Mentana: Kështu do na i merrni të gjithë…

Kryeministri Rama: Prirja ka ndryshuar duke filluar që nga vitin e kaluar. Ka rreth 400 ndërmarrje të reja. Këtë vit presim të tjera, sepse po të shohim problemet politike të Italisë, duket sikur jemi pjesë e së njëjtës botë, të të njëjtit vend, të së njëjtës histori, dhe falë kësaj afërsie mund të bëjmë më shumë me Italinë dhe mund të përfitojmë. Besoj se tani, – me integrimin e shqiptarëve, të cilët erdhën 20 vite më parë me shumë probleme dhe pengesa, mjafton të kujtojmë që janë 40 mijë kompani, këtu në Itali, të krijuara dhe të cilat udhëhiqen përpara nga shqiptarët, që paguajnë taksat dhe janë integruar me kulturën tuaj, – duke pasur parasysh edhe interesin ekonomik, hapësira e vetme që kemi mes nesh është deti. Por, ritheksoj, që ne jemi shumë të kujdesshëm për atë çka ndodh në Itali, e duam të krijojmë kushtet ideale për kompanitë italiane, të cilat vijnë në Shqipëri. Është fakt, që Shqipëria vuan një perceptim të krijuar në vite, që nuk e ndihmon, por mjafton të vini një herë, për të pasur dëshirën për t’u rikthyer. Dhe ju mund ta dëshmoni këtë”, u shpreh kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij.

Enrico Mentana: Edhe ju jeni një dëshmi e gjallë; nuk është një kompliment, por është një konsideratë; me një ambasador si ju është e vështirë, sepse bëtë për vete të gjithë platenë e investitorëve. Mjaftoi vetëm fillimi, me diskutimin tuaj për sindikatat. Renzi ka bërë për vete më pak investitorë, në më shumë kohë.

Kryeministri Rama: Ai është më i ri, ka më shumë kohë. Unë jam pak më i madh dhe ne nuk kemi kohë për të humbur. Jemi një e majtë, që besojmë te vlerat e solidaritetit dhe të barazisë, por që kurrë nuk do të refuzojmë të bëjmë një reformë, e cila është e nevojshme, vetëm sepse është një reformë e djathtë, dhe që kurrë nuk do të bëjmë një reformë, jo të rëndësishme, vetëm sepse është e majtë. Është një fjalë kyçe, që duhet të jetë pjesë e përditshmërisë së çdo force politike në qeveri, e cila është efiçenca. Nëse nuk ka efiçencë është e panevojshmë të rrish të flasësh për të drejtat e punëtorëve, për të majtën, për parimet e së djathtës. Mjafton të gjesh se çfarë e bën shtetin më efiçent, çfarë e bën një industri më efiçente, çfarë e bën një shërbim më efiçent. Nëse kjo quhet e djathtë, shumë mirë, mua kjo nuk më intereson shumë.

Enrico Mentana: Po ju ndaloj këtu, sepse po vazhduam kështu, do të ribashkojmë ‘mbretëritë’ e Shqipërisë dhe Italisë dhe ju japim kurorën menjëherë. Faleminderit Edi Rama!/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button