Një histori tjetër për “Pizza”-n nga Milaim Krasniqi

“Fjala ‘Pizzë’ vjen prej fjalës shqipe, arabe ose greke ‘Pite’ (pitta), që do të thotë përshkruan diçka me formë të rrumbullakët”- me këtë etimologji teknologu i ushqimit, Milaim Krasniqi e fillon shtjellimin rreth prejardhjes historike të pizzës.

“Sipas disa të dhënave jozyrtare, pizza si specialitet është përdorur (servirur)-përgatitur gjatë ceremonive të ndryshme që organizonin princët dhe princeshat e paraardhësve tanë ilirë të bregut verilindor të Detit Adriatik, ku pjesa më e madhe ka qenë e banuar nga ilirët, kurse më vonë banohet nga kroatët.”-shkruan Krasniqi.

Sipas tij ilirët fillimisht i përgatitnin pitat-pizzat vetëm me barishte të njohura gjatë asaj kohe, por më vonë edhe me peshq dhe disa lloje të zarzavateve. Ata në fillim i piqnin në sipërfaqen e gurit të nxehtë, kurse pastaj ndërtuan furra të mbuluara, në të cilat pitat i piqnin bashkë me bukët. Kështu gradualisht po përmirësohej edhe cilësia e pizzave, forma dhe shija e tyre.

Pas luftërave të shumta iliro-bizantine dhe iliro-romake shumë ilirë u shpërngulen në jug, por pushtuesit romakë patën rastin ta shijojnë piten e gatuar nga vendasit që kishin vendosur të qëndrojnë. Kështu romakët të mahnitur nga shija e veçantë e pites ilire filluan ta importojnë atë në Itali, ku siç thekson autori “përgatitej me pak material”, prandaj “shtresat e pasura romake nuk e pëlqyen sepse mendonin se ky lloj ushqimi duhej të ishte vetëm për të varfërit”.

pizza-libri

Pizza lulëzoi si specialitet që nga shekulli XIV dhe XV edhe në rajonin e Sicilisë, në jug të Italisë. Por për shkakun e lartëpërmendur edhe atje për shtresën e mesme dhe të pasur ishte turp të shtrohej në tryezat e begatshme ushqimore, ndërsa përkundrazi shumë e përshtatshme për shtresën e ulët të popullsisë.

Autori sqaron se piteria (pizzeria) e parë u hap në jug të Italisë, në pjesën e Kalabrisë, nga 8 vëllezërit Gjaniaj në fillim të shekullit XVI. Pizza si specialitet i përditshëm hyri edhe në oborrin mbretëror të Ferdinantit IV të Sicilisë, në shekullin XVIII. Ndërsa lokali i parë publik u hap në Napoli, ku pizza servohej në pjata të bukura dhe shoqërohej me verëra italiane. Aty takoheshin piktorë, poetë dhe politikanë të njohur. Në mesin e shekullit XIX pizza u shndërrua në specialitet edhe në disa vende të Evropës Perëndimore, si në: Francë, Gjermani, Holandë e Angli.

Sot pizza është e njohur në mbarë botën dhe është veçanërisht e pëlqyeshme nga të rinjtë. “Rëndësi të madhe te pizzat ka mjeshtëria e gatimit të brumërave. Po qe se brumërat dimë t’i gatuajmë siç duhet, atëherë për mbulesë nuk ka rëndësi të madhe, mund të përgatitet edhe me shumë pak, ose vetëm me domate dhe djathë.”-shkruan Krasniqi në botimin me titull “Pizza dhe gatimi i saj”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button