Papa Françesku në Sarajevë: Kurrë më luftë

“Kurrë më luftë”, ishte mesazhi i Papa Françeskut në predikimin e tij gjatë meshës së mbajtur para rreth 65.000 besimtarëve në stadiumin e Sarajevës Koshevo, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në leximet biblike që kemi dëgjuar bëri jehonë shumë herë fjala paqe. Në të vërtetë, një fjalë të fortë profetike. Paqja është dhuratë e Zotit, plani për njerëzimin, historinë dhe për gjithçka të krijuar. Ky është plani që gjithmonë përballet me kundërshtimin e njeriut dhe të ligut. Kështu në kohën tonë kërkimi për paqen dhe përpjekja rreth arritjes së saj përplasen me faktin se në botë aktualish po ndodhin shumë konflikte të armatosura. Kjo është një lloj lufte që bëhet ‘në pjesë’ dhe në atë kontekst të komunikimit global, përjetohet një klimë e vërtetë e luftës”, ka thënë Papa para besimtarëve në stadiumin olimpik në Sarajevë.

Ai tha se ka prej tyre që me qëllim dëshirojnë të krijojnë dhe shkaktojnë një klimë të tillë, veçanërisht ata që përpiqen të shkaktojnë konflikte ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve të ndryshe dhe ata që shpikin luftëra për të shitur armë.

“Por lufta nënkupton fëmijet, gratë dhe të moshuarit në kampet e refugjatëve, nënkupton braktisjen me forcë të shtëpive, shtëpite e rrënuara, rrugët dhe objekte fetare, nënkupton mbi të gjitha jetët e shkatëruara. Ju këtë e dini shumë mirë, sepse këtë e keni përjetuar pikërisht këtu. Aq shumë vuajtje, shkatërrime. Sot, vëllezër dhe motra, edhe njëherë nga ky qytet dëgjohet britma e popullit të Perëndisë dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë: kurrë më luftë”, porositi Papa Françesku.

Papa Françesku gjatë meshës së shenjtë është lutur për “zemër të thjeshtë, shumë durim, dëshirë dhe angazhim për drejtësi. Të jemi të mëshirshëm, të angazhohemi për të krijuar paqe, dhe jo luftë dhe grindje”. Siç tha kjo është e vetmja rrugë që “na bën të lumtur dhe të bekuar”.

Kjo është vizita e tretë që një Lider shpirtëror si Papa realizon në BeH, dhe njëkohësisht vizitë e parë e tillë që do të jetë edhe e karakterit politik, për dallim nga ato të vitit 1997 dhe 2003, kur Papa i atëhershëm Gjon Pali II ishte në vizitë pastorale në Sarajevë, përkatësisht në Banjallukë./AA/

Lajme të ngjashme

Back to top button