Siguria Energjetike në Ballkanin Perëndimor dhe pozita e Shqipërisë me projektin e gazsjellësit TAP

Siguria e energjisë është një temë gjithmonë e më shqetësuese, për shumë vende të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, vende si Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Republika e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia, do të mund të luanin rolë të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë së saj nëpërmjet investimeve të mundëshme në terminalet e gazit natyror dhe tubacionet e reja të gazit. Vet Ballkani Perëndimor, mundë të përfitoi nga rrugët alternative për furnizimet me gaz. Pozita gjeografike, dalja në detë dhe dëshira për të krijuar një kuadër të qëndrueshëm të politikave rregullatore, janë ndër faktorët që e bëjnë Ballkanin Perëndimor një perspektivë interesante për investitorët e energjisë. Shumica e vendeve të BE-së e përdorin gazin gjerësisht si një burim i energjisë dhe pjesa e gazit në konsumin total të energjisë arrin deri në 40%, në disa prej tyre.

Kohët e fundit, po flitet dhe po komentohet shumë në lidhje me përpjekjet e Rusisë, për të rivendosur influencën e Rusisë në botë, nëpërmjet masave të ligjshme e të paligjshme. Siç dihet, Moska, ka pasur dhe vazhdon të ketë lidhje të ngushta historike, kulturore dhe fetare me disa vende të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Serbinë dhe Malin e Zi. Sidomos Serbia ka qenë gjithmonë me sytë dhe veshët në Rusi dhe Ballkan. Lojërat e Rusisë në Ballkan janë pjesë e një strategjie gjeopolitike të Moskës, që kanë për qëllim prishjen e tendencave pro-perëndimore në

këtë rajon, dhe të paktën balancimin, për të mos thënë pakësimin e influencës Amerikane dhe të Bashkimit Evropian në këtë rajon.

Rusia duhet të mbesë një superfuqi bërthamore, një fuqi e madhe në të gjitha aspektet e aktivitetit ndërkombëtar e politik, ushtarak dhe ekonomik i rajonit të saj, kështu llogaritrt nga vet Rusia. Kjo duket jashtëzakonisht e vërtetë në qoftëse, shikojmë në konceptin e politikës së jashtme të Federatës Ruse, të paraqitur nga presidenti Putin. Por, bota po përjeton një periudhë tranzicioni gjatë së cilës po formohet një sistem i ri ndërkombëtar politik, i cili hapë mundësinë për sisteme të reja ekonomike dhe financiare, rreshtime të reja në sigurinë kolektive dhe ndryshime në zhvillimet politike, aftësia e perëndimit për të dominuar ekonominë dhe politikën botërore vazhdon që të reduktohet. Në një kontekst të tillë, marrëdhëniet midis Bashkimit Europian, Ballkanit dhe Rusisë po ndryshojnë.

Vendet ballkanike janë ngushtësisht të lidhura ekonomikisht me Bashkimin Europian, kështu që, çfarëdo që të ndodhë në sektorin ekonomik dhe financiar të tyre është jashtëzakonisht i lidhur me atë që po ndodhë në bërthamën e Bashkimit Europian. E gjithë kjo luftë politike dhe ky rivalitet i pandalshëm mes Rusisë dhe Evropës, bëhet me të vetmin qëllim që të kenë më shumë shtete përkrahë tyre, dhe që të dominojnë në vende të ndryshme që shërbejnë si koridore dhe vende strategjike për qëllime kryesisht ekonomike dhe për të krijuar varësinë e shteteve kryesisht në Ballkan, për politikat e energjisë që konsiderohen konsumator të pashterrshëm.

Një nga vendet që kalon gazi nga TAP-i është edhe Shqipëria, që ndryshe nga Greqia dhe Italia nuk është shtet anëtar i BE-së, por kalimi i këtij gazsjellësi, e vendos Shqipërinë, në një pozicion strategjik me BE-në. Por, vendet që kanë më shumë nevojë për gaz, janë Bullgaria, Rumania, Hungaria, por interes tjetër është që rajoni i Ballkanit të ketë mjaftushëm gaz përmes TAP-it. Ky investim është i rëndsishëm për Shqipërinë, pasi që krijon një mundësi unike që Shqipëria të zhvilloj industrinë e gazit, dhe për arritjen në të ardhmen të një eficience më të lartë në prodhimin e energjisë elektrike duke përdorur gaz natyror. Për Shqipërinë, kjo është një fitore e madhe gjeostrategjike duke u bërë kështu pjesë e një projekti TAP-it, i cili i ofron rrugën më të shkurtër për tregje të Evropës dhe duke u lidhur me TANAP, shkon përtej kufijve Turk, dhe TAP bënë rrugën më të shkurtër deri në tregun e dytë më të madh në Evropën Kontinentale, në Itali.

Në nivel Rajonal: projekti TAP është pjesë e një gjurme të re të transportit të gazit nga rajoni i Kaspikut për në Europën jugore dhe qendrore. Më poshtë është paraqitur një listë me objektivat kryesore të projektit:

• Të mbështes Europën në arritjen e objektivit të saj strategjik, për të siguruar dhe diversifikuar furnizimet me gaz natyror, dhe për të rritur aftësitë e saj për të plotësuar nevojat në rritje për energji;

• Të rrisë sigurinë dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet europiane;

• Të hapë një koridor të ri jugor të gazit për Europën, dhe treg shitjeje për gazin natyror nga deti Kaspik dhe rajonet e Lindjes së Mesme;

• Të lidhë rrjetet ekzistuese dhe ato të planifikuara për transportin e gazit natyror në Europën juglindore, me sistemet e gazit në Europën perëndimore në mënyrën më efikase dhe ekonomike.

Në nivel Kombëtar: projekti TAP ka objektivat e mëposhtme:

• Të siguroj lidhjen e Shqipërisë me infrastrukturën rajonale të gazit natyror;

• Të zhvilloj infrastrukturën e energjisë së Shqipërisë dhe të nxisë investimet e huaja të mëdha;

• Do të inkurajoj aktivitetin ekonomik duke krijuar vende pune dhe duke zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet lokale;

• Duke gjeneruar të ardhura të qëndrueshme dhe të parashikueshme pasi të vihet në punë, TAP do të kontribuoj në zhvillimin e sistemit të gazit në Shqipëri;

• Të krijoj infrastrukturën e vlefshme shtesë, si rrugët, etj.;

• Të rrisë rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit, ndërkohë që mbështet stabilitetin e vazhdueshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button