Mësuesi i akuzuar për abuzim seksual: Çfarë i bëra nxënëses, mollë ishte ajo që ta kafshoja?

Demir Hoxha (62) i akuzuar për abuzimin seksual me nxënësen ka shokuar hetuesit me dëshminë gjatë marrjes në pyetje.

“Për çfarë më akuzoni kot mua… !? Pse, çfarë i bëra unë asaj… !? Mollë ishte ajo, që ta kafshoja unë?”. Kështu mësohet ta ketë kundërshtuar prokuroren gjatë marrjes në pyetje, mësuesi 62-vjeçar Demir Hoxha nga fshati Zharnec i Divjakës, duke shokuar hetuesit e pranishëm me arsyetimin që jepte për të justifikuar veten.

Ndërkohë që ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën, 62-vjeçari Hoxha është përpjekur t’u shmanget pyetjeve të hetuesve kur është përballur me dëshminë e vajzës dhe me përgjimet ambientale të siguruara gjatë hetimeve paraprake, shkruan Gazeta Shqip.

Burime të gazetës kanë pohuar se ndaj 62-vjeçarit Demir Hoxha janë siguruar prova të pakundërshtueshme që vërtetojnë se ai ka kryer abuzim seksual me të mitrën A. K. nga fshati Kryekuq i Rrethit të Lushnjës, ku ai jepte mësim prej 43 vitesh. Të njëjtat burime kanë shpjeguar se ai nuk ka qenë bindës në versionin e tij, duke pasur kundërshti dhe mungesë arsyetimesh në ato që thoshte.

Mesditën e djeshme në Gjykatën e Lushnjës është caktuar masa e sigurisë ndaj mësuesit të ciklit të ulët të shkollës 9-vjeçare “Hysen Malko” të fshatit Kryekuq. Pavarësisht se aty janë gjendur familjarët e tij dhe të vajzës së dëmtuar, është vendosur që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura edhe për shkak të çështjes delikate.

Familjarët e të arrestuarit vetëm sa kanë mundur ta përshëndesin Demirin, i cili është shoqëruar menjëherë për në sallën e gjyqit. Nga burime të gazetës bëhet e ditur se fillimisht, prokurorja e çështjes, Merita Selimi, i ka parashtruar gjykatës provat e siguruara nga hetimet e këtyre ditëve. Kështu, ajo ka deklaruar se pas denoncimit të prindërve të 11-vjeçares A. K., për abuzimin e kësaj të fundit nga mësuesi i saj kujdestar, është kryer menjëherë ekspertimi mjekoligjor prej nga është konstatuar se e mitura ishte e defloruar e vjetër.

Në cilësinë e provës janë paraqitur deklarimet e të dëmtuarës, nënës së saj, si dhe të të afërmve të tjerë që dyshohet se mund të kenë dijeni mbi ngjarjen. Po ashtu, prokurorja Selimi mësohet të ketë njohur gjykatën edhe me provën më të fortë, atë të përgjimit ambiental të bisedës së zhvilluar mes mësuesit 62-vjeçar Demir Hoxha dhe nxënëses së tij A. K. Në këtë përgjim është konstatuar se 62-vjeçari e ka pyetur të miturën se përse nuk i kishte thënë gjë atij për dyshimet që kishte mbi shtatzëninë se edhe po të ngelej shtatzënë do t’i jepte paratë për të bërë abortin. Pasi prokurorja Selimi ka paraqitur gjithë provat e siguruara ndaj të prangosurit, ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të tij dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat.

Ndërsa i pandehuri Demir Hoxha nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke u shprehur se nuk ishte e vërtetë që kishte abuzuar seksualisht me nxënësen e klasës së pestë A. K. Avokati mbrojtës i caktuar kryesisht, ka kërkuar caktimin e një mase më të lehtë ndaj Hoxhës, por gjyqtarja Brikena Lubonja, pasi ka vlerësuar pretendimet dhe provat e të dyja palëve ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj mësuesit të ciklit të ulët.

Ka qenë reagimi i vetë 11-vjeçares A. K. që ka çuar në zbulimin e rastit të pedofilisë. E mitura ka refuzuar të hënën e kësaj jave të shkojë në shkollë dhe pasi është pyetur nga nëna e saj ka pohuar se shkak ishte abuzimi seksual që kishte kryer mësuesi kujdestar që prej muajit janar.

Ky rrëfim i nxënëses së klasës së pestë ka qenë bindës për të ëmën edhe për vetë faktin se e mitura kishte nisur ta pyeste herë pas here që prej muajit shkurt për mënyrën sesi një femër mbetej shtatzënë. Pasi vajza i ka treguar për atë që kishte ndodhur në ambientet e klasës ku mësonte prej pesë vitesh, familjarët e 11-vjeçares kanë kryer kallëzim në polici. Në deklarimet e dhënë para hetuesve dhe në prani të një psikologeje e mitura ka shpjeguar se mësuesi kujdestar i kishte kryer veprimet duke i bërë presion që të mos kundërshtonte.

Madje, sipas vogëlushes, ai i kishte thënë që të mos i tregonte askujt. Për shkak të presionit të ushtruar si edhe frikës, ajo ka duruar për pesë muaj me radhë abuzimet e 62-vjeçarit Hoxha që dyshohet ta ketë përdhunuar disa herë në ambientet e klasës së pestë të shkollës 9-vjeçare në Kryekuq të Divjakës. Nga deklarimet e të miturës dyshohet se mësuesi Demir Hoxha shfrytëzonte orarin para se të fillonte mësimi, pushimin e gjatë ose orët e fizkulturës për të përdhunuar nxënësen e tij.

Ai i nxirrte nxënësit e tjerë nga klasa ndërsa të dëmtuarën e mbante me pretekstin se do ta ndihmonte të korrigjonin provimet.

Që prej ditës kur u zbulua rasti në fjalë, zyra arsimore Lushnjë mori masat për trajtimin e të miturës me psikologe. Mësohet se një prej mësueseve e cila është e afërme e 11-vjeçares së bashku me psikologen e shkollës janë duke zhvilluar seanca të përditshme me të miturën, me qëllim rehabilitimin sa më shpejt të gjendjes së saj psikologjike. Ndërkohë, për dy ditë, tri psikologe kanë marrë takime me nxënëset e tjera të shkollës me qëllim parandalimin e ndonjë paniku për shkak të rastit tronditës të abuzimit seksual.

Gjatë zhvillimit të seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj 62-vjeçarit Demir Hoxha kanë qenë të pranishëm në oborrin e gjykatës familjarët e tij dhe të vajzës së dëmtuar.

Vajza e tij 30-vjeçare, Ana, shpreh mosbesimin e saj për fajësinë e të atit, ndërkohë që është treguar agresive me gazetarët e pranishëm.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nuk janë lejuar të jenë të pranishëm as familjarët e asnjërës palë dhe as media. Ndërkohë, familjarët e Demirit nuk kanë arritur dot të marrin nga goja e tij përgjigjen e shumëpritur për atë që ka ndodhur. Kanë arritur vetëm ta pyesin nëse ishte mirë, ndërkohë që i prangosuri është shoqëruar për në sallën e gjyqit.

Familjarët e Demir Hoxhës shprehen se duan ta dëgjojnë prej tij nëse e ka kryer apo jo abuzimin seksual për të cilin është arrestuar. Por, edhe dje nuk kanë arritur ta marrin dot këtë përgjigje. Ata kanë bërë thirrje për zbardhjen e të vërtetës duke hedhur dyshime mbi akuzat e ngritura.

Ndërkohë, familjarët e të miturës kanë qenë më të qetë dhe janë larguar, pasi kanë mësuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Demir Hoxhës.

Lajme të ngjashme

Back to top button