Pse pak protestojmë?!

Tani që erdhëm këtu më duhet të pranoj se tërë kohën isha në dilemë, përkatësisht i ndarë në dy nëse dhe çka do ishte më e përshtatshme për ta folur me ju, sot, këtu. Kjo sepse  mendoj se kjo temë qytetaria dhe lëvizjet qytetare në kohë krizash duhet trajtuar edhe në aspektin se sa dhe si shoqatat, organizatat qytetare bashkëpunojnë me organizimet tjera, sidomos me rëndësi; me partitë politike dhe sidomos e rëndësishme tani dhe këtu në kësi krizë politike kur institucionet janë të zaptuara, në emër të atyre partive. Por, përveç kësaj edhe një temë e kamotshme për atë se pse pak protestojmë, edhe në vëllim e edhe në cilësi, pra edhe kuantitativisht edhe kualitativisht, gjithmonë më është dukur si temë e denjë për ta trajtuar për neve qytetarëve në Maqedoni.

Të ja nisi prej në fund për atë se pse pak protestojmë. Ka shumë shkaqe dhe faktorë që ndikojnë në atë që ne dukemi kaq të urtë dhe pak të shqetësuar kurse e vërteta të jetë mu ndryshe; ne të mos jemi të urtë dhe shumë të shqetësuar. Disa nga këto shkaqe janë gjithënjerëzore, universale dhe u përsëriten njerëzve kudo dhe sa herë; siç mund të jenë apatia, dëshpërimi nga përvojat e mëparshme etj. Por unë do kisha dashur të ndalem në dy shkaqe pak më specifike e që mendoj se kanë të bëjnë me neve këtu dhe që sigurisht eliminimi i këtyre shkaqeve do ishte përmirësim.

  • E para nga këto është mosnjohja e asaj që duket e largët si e afërt dhe si çështje që na tangon si qytetarë. Kjo sigurisht është në përgjithësi dhe shpesh edhe për gjërat si shteti, buxheti, por edhe për gjërat më direkte, edhe fizikisht dhe si të tilla me dëm më direkt dhe më të përshpejtuar. Pra; duket sikur mungon një vetëdije që të kuptojmë se kur shteti vjedh, rren, bën padrejtësi ai këtë na e bën krejt neve qytetarëve, bile këtë e ka bë edhe në emër tonin. Ashtu në këto nuk duhet të ketë mostangim, eskapizëm, apo nuk është e imja, se kur rren për shembull policia për vrasjen e Martin Neshkovskit ai ka gënjyer gjithë qytetarët, poashtu për Kumanovën apo për cilin do qoftë rast. Kjo vetëdije mungon edhe për dëmet direkt dhe më të afërta duke i paraqitur ato si të largëta, koklavitura apo abstrakte; si për shembull ky tymi dhe ndotja prej ndotësve kolektiv; nëse ai tymi dhe ndotja i bën dëm vetëm atyre në fabrikë? Jo, vetëm atyre në Jegunovcë? Jo. As edhe vetëm tetovarëve, bile as vetëm qytetarëve të krejt Pollogut, por ja s’duhet me qenë biolog ose ndonjë ekspert tjetër shkencor; kjo shihet bile edhe me sy: se ky tym, ndotje dhe dëm shkon majtë e djathtë, deri në Gostivar e Shkup e më shumë; e ka pasoja deri në vdekje siç e dini për shumë qytetarë.
  • E dyta është po ashtu mosnjohje dhe ka të bëjë me mosnjohjen e karakterit civil, qytetar, ose protestues të ndonjë iniciative vetëm pse ajo është më tradicionale ose sepse nuk është në kallëpet dhe modelet e ndonjë artikulimi bashkëkohor shoqëror. Pra nga kjo kemi shumë iniciativa, sidomos këtu pari në Tetovë dhe Gostivar, që janë bërë me vite me radhë; prej ndërtimit të rrugëve e deri te sjellja e ujësjellësve nëpër shumë fshatra e që askush si ka njohë si shembuj të shkëlqyeshëm të aksioneve civile etj.  Po ashtu nuk njihet edhe ndonjë grumbullim, bisedë apo edhe reagim nëpërmjet tubimit joformal që shpesh ngritin qytetarët këtu tek ne; por edhe nëse nuk njihen si të tilla krejt këto janë dhe mbeten mënyra të artikulimit të reagimit shoqëror, tani me një kombinim të medieve dhe organizimeve qytetare edhe ajo Ministria e PN në fejsbuk është artikulim i reagimit shoqëror, por edhe mund shumë lehtë të artikulohen edhe plenume të haxhilerëve të fshatit Kamjan, p.sh., ose të pensionistëve nga vendet e huaja në rajonin e Pollogut; e shumë e shumë organizime që lehtë mund të jenë konsolidim i mirë shoqëror për artikulim më të madh të revoltës dhe reagimit.

(teksti është pjesë e redaktuar e fjalimit në debatin “Qytetaria dhe lëvizjet qytetare gjatë krizës politike”, e mbajtur në Tetovë me 04 06 2015, në organizim të Liberal Alternative Institute-LAI)

Lajme të ngjashme

Back to top button