Jahjaga: Zgjedhjet komunale nuk nënkuptojnë bashkëqeverisje

Rezultatet e marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës tashmë janë të prekshme. Prej tyre, veçoj mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit të cilat do të jenë gjithëpërfshirëse dhe do të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kështu ka thënë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në një intervistë për Evropën e Lirë.

“Zgjedhjet komunale nuk nënkuptojnë bashkëqeverisje dhe as bashkë-organizim të tyre. Kosova i organizon, i mban dhe është përgjegjëse për zgjedhjet komunale dhe zgjedhjet e tjera në territorin e saj”, thotë presidentja Jahjaga duke shtuar se “qytetarët e kanë mundësinë t”i zgjedhin strukturat legale dhe legjitime, komuniteti serb t’i zgjedhë zyrtarët që i përfaqësojnë interesat e tyre, që nënkupton kthim i normalitetit, i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, dhe shpërbërje të të gjitha strukturave paralele dhe ilegale. Në çdo forum dhe në çdo komunikim, është bërë e qartë që marrëdhëniet tona janë më të mira se sa para nisjes së dialogut”, ka thënë Jahjaga.

Sipas presidentes, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve çon drejt stabilizimit të gjithë rajonit të Evropës Juglindore dhe marrëdhëniet nuk mund të mbajnë peng të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit.

Sa i përket ndarjes së territorit të Kosovës, Jahjaga thekson se Kosova ka mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare dhe se nuk ka ndarje të territorit, nuk ka shkëmbim territoresh dhe nuk ka shpërngulje të popullsisë. “Të gjithë mund t”i realizojnë të gjitha të drejtat qytetare dhe kombëtare në kuadër të shteteve ekzistuese thotë presidentja ndërkohë që i ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pjesëtarët e të gjitha komuniteteve, e në këtë rast edhe qytetarët e komunitetit serb, që sa më masovikisht të dalin në zgjedhje dhe t”ua japin votën përfaqësuesve të tyre që do ti përfaqësojnë interesat e gjithë qytetarëve. Zgjedhjet janë mundësia më e mirë për të dëshmuar se e kaluara nuk do ta përcaktojë të ardhmen dhe nuk e pengon të tashmen”, thotë mes tjerash presidentja Atifete Jahjaga në intervistë për Evropën e Lirë.

Lajme të ngjashme

Back to top button