CIVIL: Han shumë pak i informuar për parregullsitë zgjedhore

Qendra për Liri konsideron se Komisari për Zgjerim i BE, Johanes Han, me deklaratën e tij në Uashington, tregoi një nivel të papranueshëm të mosinformimit për mënyrat në të cilat u zbatuan proceset zgjedhore në Republikën e Maqedonisë. I bëjmë thirrje Komisarit Han t’i lexojë raportet për vëzhgimin e zgjedhjeve të Misionit të OSBE/ODIHR në vitin 2013 dhe 2014, si dhe raportet e Civilit për këto procese zgjedhore.

Zgjedhjet vendore në vitin 2013, si dhe zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare në vitin 2014 rrodhën në shenjën e manipulimeve masive zgjedhore, të shoqëruara me keqpërdorim të tërësishëm të resurseve shtetërore dhe publike dhe të administratës, dhunës strukturale, korrupsionit të trupit votues, presioneve dhe kërcënimeve në të gjitha nivelet dhe në masa të gjëra. Lista Zgjedhore është në gjendje katastrofike dhe ishte një mjet në duart e partive në pushtet për manipulim dhe ndikim vendimtar mbi rezultatet zgjedhore në vitin 2013 dhe 2014.

Një numër i madh i votuesve të paqenë, ishin pjesë e mashtrimit zgjedhor. Votues që nuk ekzistojnë, por, edhe hyrje në ndërtesa që nuk ekzistojnë, ndërtesa dhe blloqe banuese që nuk ekzistojnë gjenden në Listën Zgjedhore. Civili dhe mediat e pavarura zbuluan një sërë rastesh skandaloze, të cilat implikojnë lëshimin jolegal të dokumenteve personale nga ana e Ministrisë së Brendshme. Këto janë vetëm një pjesë e shkeljeve serioze të procesit zgjedhor në Republikën e Maqedonisë, të cilat u vërtetuan edhe nga incizimet nga bisedat e përgjuara, të cilat i zbardhi opozita në fillim të këtij viti.

I bëjmë thirrje Komisarit Han t’i rishqyrtojë qëndrimet e veta dhe të konsultojë një rreth më të gjerë të burimeve të pavarura të informatave në nivel të vendit dhe ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Back to top button