Shkëndija i filloi përgatitjet (Video)

Skuadra ‘kuqezi’ të premten ka realizuar grumbullimin e parë, duke shënuar në një mënyrë startin e përgatitjeve verore në prag të paraqitjes në eliminatoret për Liga Evropa. Gjithsesi, vlen të ceket se ky nuk është start klasik i përgatitjeve, pasi që një pjesë e futbollistëve kyçen pak më vonë, ndërsa këto ditë do të pritet të ketë edhe risi në aspekt të përforcimeve.

“Ky nuk mund të quhet fillimi zyrtar i përgatitjeve, pasi ditët e para zakonisht ne kemi testime. Pastaj ka shumë futbollistë që pritet të na bashkohen ditët në vijim, si dhe disa risi që pritet të ndodhin në periudhën që pason. Prandaj e them që fillimi i përgatitjeve të vërteta do të jetë pas ditës së hënë, ndërsa në Slloveni duhet të jemi komplet dhe të punojmë në maksimumin tonë. Në merkato nuk pritet të ketë shumë ndryshime si në të kaluarën, normal do të intervenojmë aty ku mendojmë se kemi nevojë. Në Slloveni do të zhvillojmë tre ndeshje zyrtare, e para do të jetë me Dinamo Tbilisin, ndërsa dy tjerat kërkojmë gjithashtu kundërshtar të fortë të nivelit evropian. Këtë vit shpresojmë të kalojmë një raund në Evropë, ndërsa në sezonin e ri që nga dita e parë dua të mbjell idenë se Shkëndija do të sulmojë titullin e kampionit”, deklaroi drejtori sportiv Nebi Mustafi.

Trajneri Jeton Beqiri pas grumbullimit zhvilloi edhe stërvitjen e parë me 18-të futbollistë që kishte në dispozicion, ndërsa të shtunën dhe të dielën skuadra do të qëndrojë në Prishtinë për ekzaminime mjekësore. Të hënën dhe të martën në Tetovë do të zhvillohen testime të ndryshme në teren, e mërkura do të jetë ditë e lirë, të ejnten në program janë dy seanca stërvitore, ndërsa të premten ekipi zhvendoset në Slloveni ku do të qëndrojë deri më 25 qershor.

Lajme të ngjashme

Back to top button