Nota fiktive të testeve eksterne

Vlerësimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme është kthyer tanimë në njërin prej proceseve më të kontestueshme arsimore, megjithë insistimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se “vlerësim ekstern është mekanizëm për të kontrolluar cilësinë e arsimit, respektivisht objektivitetin e notimit të nxënësve nga ana e mësimdhënësve të tyre”, shkruan Koha.

Por sa janë objektive notat e vlerësimit ekstern, të cilat MASH-i i nxjerrë duke testuar nxënësit, është një çështje për të cilën nuk ka mundur të japë përgjigje asnjëri prej zyrtarëve të MASH-it. Që në fillim, kur vlerësimi ekstern ishte në fazën e pilotimit, pedagogët kanë vërejtur se “testimi nuk mund të jetë instrument për vlerësimin objektiv të dijeve të nxënësve”, ndërsa e kanë argumentuar këtë me shkaqe pedagogjike dhe didaktike. Sidoqoftë, edhe po të mos ishte sensibilizuar ky defekt – janë shumë faktorë tjerë të dukshme që tregojnë se notat e vlerësimit ekstern mund të reflektojnë gjithçka, por jo edhe nivelin e dijeve.

Nuk nevojitet ndonjë përgatitje kushedi sa e madhe profesionale për ta konstatuar këtë. Mjafton tu hidhet një sy dyqaneve të fotokopjimit, ku nxënësit presin radhë për të marrë materialet me përgjigjet e gatshme. Për lëndë të caktuara, madje nuk ka nevojë as të fotokopjosh, pasi materiali është lënë gati. Vlerësimi ekstern nuk duhet hedhur poshtë si krejtësisht i pa dobishëm për shoqërinë. Të paktën në asketin ekonomik u ka shtuar punën dyqaneve të fotokopjimit ashtu sikurse edhe ka ndikuar pozitivisht në ndjenjën e solidaritetit në shkollë. Më shumë se sa studentët, tani janë nxënësit që presin në radhë për të fotokopjuar apo marrë fletët me pyetje-përgjigjet e lëndëve të caktuara. Nuk janë pak lëndë, mbi 5650 për shkolla fillore dhe të mesme, me rreth gjysmë milion pyetje për mbi 180.000 nxënës, nga klasa e tretë nëntëvjeçare deri vitin e parafundit të arsimit të mesëm. Më tepër se sa studentë, tani në dyqanet përkatëse gjen nxënës që me USB në dorë vijnë të printojnë pyetjet e testimit apo të tjerët që me përgjigje të plotësuara – vijnë të bëjnë kopje për vete dhe të tjerët.

Lajme të ngjashme

Back to top button