GRUEVSKI IKU – SISTEMI MBETI

Tani më nuk ka asnjë dyshim se kryeministri i gjithfuqishëm i vendit të çudirave do të ikë nga skena politike. Në fakt, atë po e përzënë zullumet e trasha të ushtruara me sistem ndaj çoveçinja-ve dhe veçanërisht ndaj shiptarçinja-ve për të cilët nuk pati asnjë lloj respekti.

Megjithatë, duhet thënë se shtjella në të cilën sallakohemi tash e sa vite nuk mund të identifikohet me emrin e faraonit Gruevski, siç nuk u identifikua dje me emrin e Cërvenkovskit – patriarkut tjetër të shkretishtes, që ngjan në gjithçka përveç shtetit normal. Problemi ynë është sistemi politik i këtij shteti, kushtetuta e padrejtë, që pjell njerëz institucione, në duart e të cilëve, hiq kamarillën e papërgjegjshme pushtetare, të gjithë të tjerët janë minj eksperimentesh, janë e keqja e domosdoshme pa djersën e së cilës nuk ka jetë në kokër të shpinës, nuk ka bukë të padjersuar, nuk ka sefa perandorake.

Së këndejmi, e kotë shpresa për ditë më të bardha për mua, ty, ne…, sepse atë që bëri dje Gruevski, e bën nesër Zaevi. Vetëm forma, variani, selkia… mund të mos jetë e njejtë. Prandaj them se nuk do të ndryshojnë asgjë qeveritë teknike, pa riparuar nenet diskriminuese të kushtetutës për Hasanin çoban, përballë të cilit pozon akademikshëm Mitrja; pa ndarë barabarësisht e për kokë banori të shkretishtes çdo cent buxheti, që shqiptarët i njeh vetëm si mbushës të arkës shtetërore; pa pasur kontroll mbi çelësat e hapsaneve të stërmbushura me indianë të pafajshëm; pa një të drejtë vetoje që do ta pengojë hapjen kuturu të arkave të hekurit e barotit, për t’mos u përsëritur kurrë më Gostivari, Brodeci, Sopoti, Smillkova, Kumanova…; për t’mos jetuar kurrë më me frikën e gogolëve dhe gogoleshave me musteçe.

Për vete nuk kam pikë dyshimi se sistemi aktual do ta pjellë sa ora Gruevskin e rradhës, do ta prodhojë kopjen e diktatorit të ardhshëm, sepse sistemet diktatoriale vetëm diktatorë mund të prodhojnë. Optimizmin s’ma lejojnë as përkrahësit e shumtë të politikave të gabuara – të rinjtë e frustruar me ide mentorësh të dështuar, të cilët janë të bindur se kjo copë toke është vetëm e tyre. Të tillët sigurisht nuk do të ishin kaq sa janë, sikur paragjykimet ndaj nesh të mos kultivoheshin si brojlerë nëpër institucione klloçka epërsishë të paqena ndaj tjetrit; sikur mediet e vërdhemta t’mos e mbushnin eterin me dëshmi false për të shkuarën dhe me ëndrra mashtruese për të ardhmen e vendit.

Duke pasur parasyshë frustrimin permanent të njerëzve të thjeshtë, sot-për-sot nuk shoh gatishmëri serioze të maqedonasve për bashkëjetesë të mirëfilltë me shqiptarët. Kjo duket nga stratosfera dhe deri në njëfarë mase është e kuptueshme, sepse fqinjët tanë janë në fazën e konstituimit të etnisë dhe, natyrisht: synojnë formimin e shtetit nacional. E keqja është se në vrapin e tyre për ta arritur këtë objektiv nuk mbajnë asnjë llogari për të tjerët, në rend të parë për shqiptarët autoktonë, që popullojnë gjysmën e territorit të vendit.

Pikërisht ideja e stërvonuar për konstituimin e shtetit nacional me instrumente nacionaliste ndeshet fuqishëm me intereset e shqiptarëve dhe ja tek i ke problemet që na bëjnë të gjithëve të marshojmë në vend, duke ndalur rritën e çdo perspektive.

Në rrethanat e sotme nuk mund të realizohet ëndrra e vonuar maqedonase, sepse proceseve të tilla u ka dalur boja që para një shekulli. Maqedonia është shtet multietnik e multikulturor dhe vetëm si i tillë mund të ekzistojë. Tjetër punë se nacionalromantikët janë akoma në dimensionin e andrrallave, që mund të realizohen vetëm nëse do të zhbeheshin, asimiloheshin a dëboheshin nga shteti të gjithë ata që flasin të tjera gjuhë dhe i falen Zotit ndryshe prej kombit të favorizuar me nene kushtetutare.

Kjo, e përsëris: nuk mund të ndodhë, sepse sprovat e zhbërje-dëbimeve të etnive të tëra nuk u ecën as egërsirave me tapi të Ballkanit. Të kllumura n’ujë janë edhe pretendimet për integrimin/ asimilimin e shqiptarëve në maqedonas përmes mekanizmash edukativo-arsimore të volebekëve. Nëse nuk mundi t’ia dalë kësaj  Jugosllavia 23-milionëshë e rankoviqëve, si do ta arrijë këtë shkretishtja xhuxhe që jeton nga mëshira e donatorëve të jashtëm? Mund të ndodhë që pas disa dekadash a shekujsh të gjithë ballkanasit të flasin anglisht a gjermanisht, por të presish që ata të asimilohen në ballkanas të tjerë, është ide budalle. Prandaj, sa më parë të kuptohet kjo, aq më mirë për të gjithë ne që jetojmë në këto hapësira. Por, për t’i lënë terri hapësirë dritës diellore, duhet urgjentisht të ndalet mekami mbi idenë e kombit, tokës, qiellit dhe shtetit biblik maqedonas, sepse kjo përjashton të tjerët nga këto hapësira, i shpall ata të huaj, të tepërt dhe të rrezikshëm për qenien maqedonase. Ndërkaq, vetëkuptohet si duhet vepruar ndaj të rrezikshmit.

Të shpresojmë se, edhe përkundër të gjithë dyshimeve, Maqedonia do të dalë nga kornizat e sistemit që gjeneron të këqen tash e një çerek shekulli. Këtë mund ta bëjnë ata që do ta trashëgojnë fronin e  faraonit të kompleksuar shumëdimensionalisht. Dua të besoj se gjithë populli i vendit e pret këtë prej tyre. E presin edhe shqiptarët, natyrisht. Por për ta besuar mrekullinë u duhet një shenjë, një dëshmi konkrete, qoftë dhe simbolike.

Sinjali i së mirës, që duhet të kulminojë më ndryshimin e Kushtetutës diskriminuese, mund të jepet, fjala vjen, me heqjen e përmendores anakronike të atij krahpërveshurit me hanxharin që kullon gjak dushmani, përpara bibliotekave universitare (!) dhe gjyqeve të vendit ku marrin dënime të përjetshme vetëm shqiptarët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button