Greqia arrin të shtyjë pagimin e borxhit ndaj FMN-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi se ka miratuar kërkesën e Greqisë për shtyrje të afatit të pagesës së borxhit deri në fund të muajit, raporton Anadolu Agency (AA).

Një ditë para se të skadonte afati i pagimit të këstit të parë të borxhit ndaj FMN-së, kur Greqia duhej t’i paguajë këstin prej 300 milionë eurosh, ky vend ka kërkuar që të shtyjë pagesën deri në fund të muajit. Qeveria greke bëri të qartë në fillim të javës se ka për qëllim të kërkojë shtyrje të pagimit të borxhit.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i FMN-së njoftoi se Fondi miratoi kërkesën e Greqisë pasi që rregullat e organizatës lejojnë shtyrjen e borxhit deri në fund të këtij muaji.

Në anën tjetër kryeministri grek, Alexis Tsipras u kthye sot nga Brukseli në Athinë ku do t’i dorëzojë parlamentit propozimin e shpëtimit për miratim.

Gjatë periudhës që Kryeministri grek, Alexis Tsipras ndodhej në Bruksel kërkesat e institucioneve kreditore ndaj qeverisë greke kanë shkaktuar reagime të ashpra. Shumë zyrtarë të qeverisë greke kanë paralajmëruar refuzimin e propozimit të shpëtimit.

Ndërkohë, Tsipras paralajmëroi se në ditët në vijim do të vazhdojnë negociatat në mënyrë që, siç theksoi, Greqia të mos mbesë pa fonde për shërbimet publike dhe bankat.

Lajme të ngjashme

Back to top button