“Axhibadem Sistina” me fushatë për zemër të shëndoshë

 “Dëgjoje ritmin e zemrës” është titulluar fushata për ngritjen e vetëdijes për zemër të shëndoshë dhe për trajtim dhe parandalim nga sëmundjet kardiovaskulare, që prej sot e deri më 20 tetor e organizon Spitali klinik “Axhibadem Sistina” me Grupacionin shëndetësor “Axhibadem”.

Karvani me ekip mjekësor do të vizitojë 13 qytete në Maqedoni, ku gjatë periudhës prej orës 12 deri në orën 20, në lokacione të caktuara, qytetarët do të mund të këshillohen pa pagesë për zemrën e shëndoshë. Kontrollet do të bëhen në spital mobil të pajisur posaçërisht.
Qëllimi i fushatës është vlerësimi i gjendjes shëndetësore me përcaktimin e shkallës së rrezikut kardiovaskular tek popullata e përgjithshme, përmes matjes së peshës dhe gjatësisë, përcaktimit të indeksit të masës trupore, matjes së nivelit të holesterolit në gjak, EKG dhe kontrollime të tjera me rekomandim të mjekut-specialist.

Fushata do të fillojë sot në mesditë në sheshin “Maqedonia” në Shkup. Në kryeqytet, karvani do të jetë edhe gjatë ditëve të fundjavës – të shtunën në “Siti moll” dhe të dielën afër font anës  në Parkun e Qytetit. Më pas do ta vizitojë Kumanovën (30 shtator dhe 1 tetor), Tetovën (2 dhe 3 tetor), Gostivarin (4 tetor), Kërçovën (5 tetor), Manastirin (6 dhe 7 tetor), Prilepin (8 tetor), Strugën (9 tetor), Ohrin (10, 11 dhe 12 tetor), kavadarin (13 tetor), Strumicën (14 dhe 15 tetor), Shtipin (16 dhe 17 tetor), Velesin (18 tetor) dhe sërish Shkupin në fund të fushatës (19 dhe 20 tetor).

Qytetarët do të edukohen edhe për mënyrë të shëndetshme të jetës dhe kujdes për shëndetin e tyre me ulje të faktorëve të rrezikut të cilët janë shkaktarët e drejtpërdrejtë të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërkaq për këtë janë përgatitur broshura dhe videomateriale. Fushata mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë dhe në të është i kyçur i tërë ekipi nga Qendra kardiovaksulare e spitalit “Axhibadem Sistina”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button