Lëvizja BESA organizon marsh protestues me 13 qershor në Shkup

Më 13 qershor, do të organizohet marsh protestues në Shkup në të cilin do të shprehet revolta e shqiptarëve për gjendjen e keqe politiko-sociale në të cilën ndodhen aktualisht ata. Kryetari i Këshillit Koordinues së Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, shpjegoi se marshi do ketë karakter gjithëshqiptar dhe se Lëvizja BESA vetëm e inicializon marshin.

”Për këtë arsye marshi nuk do të ketë emblemë partiake të Lëvizjes BESA. Madje, edhe motoja qendrore e këtij marshi është lënë të vendoset me konsensus të të gjithë organizatorëve”, deklaroi Kasami.

Protesta do të mbahet me 13 qershor (e shtunë) në ora 17:00 ndërsa marshi do të niset nga lagjja e Çairit dhe do vazhdojë deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ku do të lexohen mesazhet e protestës.

Lëvizja BESA u bën thirrje publike subjekteve politike shqiptare, Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe Lëvizjes për Reforma në PDSH, si dhe organizatave joqeveritare, intelektualëve,  artistëve, gazetarëve, dhe personaliteteve të tjera shqiptare që ta formojmë bashkërisht një këshill për organizimin e këtij marshi protestues.

Pikat e kërkesave themelore që i deklaroi Kasami janë:
– Do të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Gruevski & Ahmeti, sepse kjo qeveri e ka partizuar shtetin, i ka keqpërdorë institucionet, ka dështuar në rrugën e integrimit dhe në thelb është antishqiptare; 

– Do të kërkojmë hetimin dhe ndëshkimin e të gjitha krimeve të politikanëve të inkriminuar; 

– Do të kërkojmë që Zaev t’i publikojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me të vërtetat shqiptare, e veçmas ato që kanë të bëjnë rastet e montuara, siç është “Monstra” – ndryshe do ta konsiderojmë pjesëmarrës në fshehjen e krimeve; 

– Do të deklarojmë se pas publikimeve të përgjimeve, si dhe pas dështimit në mbrojtjen e ndonjë agjende shqiptare, BDI dhe PDSH nuk janë më përfaqësuese të shqiptarëve të Maqedonisë dhe ato nuk kanë të drejtë të vendosin për shqiptarët në asnjë negociatë të mundshme; 

– Do të kërkojmë lirimin e të burgosurve të rasteve të montuara “Monstra”, “Sopot” dhe “Brodec”; 

– Do të kërkojmë zbardhjen e vrasjes së Harun Aliut dhe shokëve të tij; 

– Do të kërkojmë ndriçimin e plotë të rastit të Lagjes së Trimave në Kumanovë, përgjegjësinë e autorëve dhe organizatorëve të atij skenari dhe zgjidhjen urgjente të dëmtimeve të vendbanimeve shqiptare të shkatërruara padrejtësisht; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e zv. kryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse 11 vjet pas skadimit të afatit për realizimin e asaj marrëveshjeje nuk ka më asnjë kuptim të flitet për implementim të saj; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e zv. kryeministrit për Integrime Evropiane, sepse Maqedonia tashmë është prapakthyer nga agjenda euro-integruese; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit Publik, për shkak të drejtësisë së partizuar dhe antishqiptare në Maqedoni; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Mjedisit Jetësor për shkak të dështimit në zgjidhjen e çështjes së ajrit të ndotur në Tetovë; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Arsimit për skandalet e shumta në arsim, si ai i fundit i racizmit ndaj shqiptarëve; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë, sepse vendbanimet shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të jenë zonat më të varfra në vend dhe, rrjedhimisht, emigrimi vazhdon të jetë marramendës; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e zv. ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të skenarit të Kumanovës; 

– Do të kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për shkak të qasjes së tij raciste ndaj shqiptarëve; 

– Do të kërkojmë zyrtarizmin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë; 

– Do të kërkojmë ndarjen e drejtë të buxhetit të Republikës së Maqedonisë; 

– Do të kërkojmë marrëveshje të re për ridefinimin e Maqedonisë si shtet i përbashkët konsensual i shqiptarëve dhe maqedonasve.

Lajme të ngjashme

Komentet

Back to top button