Ambasadori Beleli dekoroi me medalje kombëtare zëvendëskryeministrit Fatmir Besimi

Mbrëmë, në kuadër të shënimit solemn të ditës Kombëtare të Italisë, ambasadori i Republikës së Italisë, Ernesto Masimo Beleli, Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi i dorëzoi çmimin e lartë kombëtar, Urdhrin e Yllit të Italisë – Zyrtar i Lartë (Order of the Star of Italy – Grand Officer).

Urdhri jepet në bazë të Vendimit  të Presidentit  të Italisë Sh.T. z. Serxho Matarela, për kontributin e dhënë nga ana e Zëvendëskryeministrit Besimi në avancimin e raporteve shoqërore dhe bashkëpunimit mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Italisë në procesin euro – integrues, veçanërisht  gjate kohës së kryesimit të Italisë në Këshillin e BE-së.

“Kisha kënaqësinë që të marr “Yllin Italian” që ndahet nga presidenti Italian për bashkëpunimin që kemi realizuar gjatë vitit 2014 në fushën e integrimeve evropiane në kuadër të presidencës italiane me BE-në. Për mua ky është një nder i veçantë dhe pavarësisht sfidave që ballafaqohemi në rrugën drejt BE-së në këtë periudhë BE-ja e vlerëson kontributin e dhënë. Këtë medalje unë nuk e llogaris si arritje personale por kjo është edhe arritje për shtetin tonë” u shpreh Besimi për Portalb.

Kjo ngjarje solemne u mbajt në hapësirat e Teatrit Kombëtar Maqedonisë, në prani të numrit të madh të mysafirëve, përfaqësuesve të korit diplomatik, qeverisë dhe të jetës publike.

Lajme të ngjashme

Back to top button