Ish-zyrtari amerikan i FIFA-s tregon si pranonin ryshfetet

Ish-zyrtari i lartë i FIFA-s, Chuck Blazer ka pranuar se ai vetë dhe anëtarë të tjerë të komisionit ekzekutiv të Federatës kanë pranuar ryshfete në këmbim të zgjedhjes së Afrikës së Jugut për zhvillimin e botërorit 2010.

Zyrtari amerikan ka thënë gjithashtu se, ai lehtësoi marrjen e ryshfetit edhe për të njëjtin event të vitit 1998. Pohimet janë në një transkriptim të seancës së marrjes në pyetje të zotit Blazer nga prokurori i Nju Jorkut në vitin 2013.

Blazer ishte zyrtari i dytë më i lartë i FIFA-s për Amerikën e Veriut, atë Qendrore dhe Karaibet nga viti 1990 në 2011 dhe ka qenë pjesë e komitetit ekzekutiv të saj nga viti 1997 në 2013.

Në dokumentin e transkriptuar, të cilin e citojnë mediat ndërkombëtare, prokurorët i referohen FIFA-s dhe dhe strukturave përbërëse të saj si një organizatë zhvatjesh dhe korrupsioni.

“Në fillim të vitit 2004 dhe në vazhdim deri në vitin 2011, unë dhe anëtarë të tjerë të komitetit ekzekutiv të FIFA-s pranuam ryshfete në lidhje me zgjedhjen e Afrikës së Jugut si vendin pritës për Kupën e Botës 2010”, ka deklaruar Blazer.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, Afrika e Jugut mohoi zërat se ka paguar 10 milionë dollarë ryshfet për të siguruar mbajtjen e eventit më të madh sportiv në botë 5 vjet më parë.

Ndërkohë, deklarata e Blazer vijon: “Unë dhe të tjerët ramë dakord të pranonim ryshfete edhe për të drejtat e transmetimit të eventeve të tjera në vitet 1996, 1998, 2000, 2002 dhe 2003 të Kupës së Artë”, ka thënë ai, duke iu referuar kampionateve rajonale për ekipet kombëtare./ TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button